Fundamenti

Hiri në mëngët e kujtesës

/ 4 minuta lexim

Libri i poetit çam Xhemil Lato „Njeriu vritet nëpër njeri“, është një thirrje zemre, një prekje shpirti, një çarje dhimbjesh e betejash nga më tragjikët. Kjo jetë s´është dhe aq e bukur, lexoj në nëntekst të librit. Jo gjithçka është në rregull, jo për gjithçka duhet të themi po. Do të jetë një vejushë, ajo që mbledhë kokrra nën ulli,…Ujët ngaherë do të vritet nëpër gurë, e njeriu do të vritet nëpër njeri shprehet poeti Lato në poezinë famëmadhe, të pagëzuar, “Gjithmonë“.

Hiri në mëngët e kujtesës të poetit Xhemil Lato, shprehë përjetësinë e gjuhës së vargut, gishtërinjtë e gjakosur të së bukurës, vrajat në shpirtin e papushtuar të poetit. Libri i poetit Xhemil Lato, „Njeriu vritet nëpër njeri“, është një titull tragjedie, është një dhimbje që shkon poshtë rrënjëve të shtëpisë, dhe thellë pemëve të gjakut, aty këtu të shprishur. Me sa e kuptoj unë poezinë, „Njeriu vritet nëpër njeri“, është një dramë që vazhdimisht përgjak!..

Hiri në mëngët e kujtesës së poetit Xhemil Lato, është pjesa më tragjike e poetit. Njeriu im i mirë, kurrë nuk të kam thënë s´e këta thonj aq të ashpër në gishtërinjtë e mi të përgjakur do ta zënë për fyti Greqinë, jo për ta mbytur, por për t´ia rimarr tokën time mijëvjeçare, tokën e prindërve të mi. Unë Xhemil Lato, dhe familja ime rebele kemi bërë një pakt me Pirro Burrin e Epirit, Zeusin, Priamin e Trojës, Akilin dhe Hektorin e „Iliadës“ dhe me papë Eleuterin e Çamërisë, dhe mbretër pellazg, që „Njeriu të mos vritet nëpër njeri“.

Eco Higjiena

Bota ime e zemëruar, pyes; a e di çfarë përgjakje emocionesh ndjej kur i shoh dhitë që i hollojnë brirët në gurë varresh pa zot. „Njeriu vritet nëpër njeri“ është poezi zemre dhe shpirti, për të gjithë ata që i trokasin heshtjes së shurdhuar. Unë kurrë s´do ndalem së kërkuari Çamërinë thotë poeti Lato. Mos e vrisni atë grua, ajo rrënjët i ka në shtëpi tek nëna e vërbuar në pritje. Do të vemi,…tek nëna, ta puthim thinjë për thinjë, e ti marr pak frymëmarrje qiellit. Eh, sa e vogël është shtëpia e poezisë, por gjëmën e ka të madhe.
Në Çamëri shprehet poeti, kam të pavarrosurit e një shekulli, atë grua që u thashë mos e vrisni. Eh, po ta dija gjuhën e ferrave, të barit, të gurit, e të ullirit, do bëja një poemë më famëmadhe se jeta e të gjitha jetëve. Por poeti Xhemil Lato, tamam, si një mjeshtër i figurës dhe i metaforave shpërthen; Njerëz që vriten nëpër njeri, bëhuni gati, prini, se edhe urtësia vjen një ditë edhe shurdhohet, e të zotin e vet e vret, si dheu i një varri që bie nga harrimi.

Atdhe, unë jam në dhimbjen time edhe kur at´nuk e lexoj. Njeri, shprehet poeti, jemi në kohën tonë, dhe jeta jonë ende ecën përmbys. Lufta për liri është shpikja më gjeniale e njeriut. Ajo shpikje mbetet shpresa jonë. Urime Xhemil Lato, për këtë libër të shkëlqyer, për këtë vlerë të veçantë kombëtare. Sukses mik! Shëndet dhe krijimtari autorit!..

Atdhe Geci – Dortmund, 2019