UBT

Hipokrizia politike

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Arton Musliu – Hipokrizi do të thotë dyfytyrësi. Më shumë se dyfytyrësi. Apo edhe më pak se dyfytyrësi, e që është pafytyrësi. Cila nga këto epitete që përmendet menjëherë të shkon mendja tek ndonjë politikan ditorë kosovarë. Kjo vjen si pasojë e mungesës së një morali të mirëfilltë politik ku ajo që thuhet në opinion publik nuk është asgjë tjetër pos makiavelizëm pervers politik i kamufluar më një hipokrizi cinike. Sepse po të ishte makiavelizëm në kuptimin objektiv të fjalës dhe konceptit do të ishte krejt në rregull.

Sepse tek e fundit partitë politike përdorin çdo mjet që kanë në dispozicion për të ardhur në pushtet e për të marrë sa më shumë vota. Bile dikujt i shkon mendja që në të premten e fundit të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit 2014 të shkoj për herë të parë dhe ndoshta të fundit në Xhaminë e qytetit të Vitisë për ta falur namazin e xhumasë vetëm e vetëm që të marrë sa më shumë vota.

Sidoqoftë debati i Kuvendit të Republikës së Kosovës rreth projektbuxhetit të vitit 2015 edhe një herë shpërfaqi fytyrën e vërtetë të këtyre pseudopolitikanëve të cilët flasin për varfëri e në të njëjtën kohë vrapojnë dhe grinden se kush po emërohet në sa më shumë komisione parlamentare në mënyrë që të marrë sa më shumë mëditje, flasin për koncepte politike e në kërkesat e tyre transformohen në krejt diçka tjetër, e disa të tjerë duke e ditë se po i shikojnë qytetarët bëhen kinse po interesohen për hallet e tyre duke recituar poezi të shkruara më herët.

Sidoqoftë çdo kërkesë e cila është në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve të vendit në parim duhet të respektohet dhe përkrahet. Ama çdo kërkesë e cila nuk e ka të adresuar rrugën dhe mënyrën e realizimit të saj reduktohet në dëshirë mediatike dhe shpërfaqë natyrën hipokrite të hipokritit. Shprehur në mënyrë koncize kërkesa për përfshirje në buxhetin e vitit 2015 të Republikës së Kosovës të projektit për rregullimin apo riasfaltimin e rrugës Viti- Gërlicë dhe Viti- Kllokot do të kishte kuptimin e plotë po të adresohej edhe rruga institucionale – procedurale e bazuar në dispozitat juridiko-pozitive të sistemit juridik pozitiv në Kosovë për një gjë të tillë. Pra ato para për këto dy projekte do të duhej të propozohej se nga cili kod buxhetor do të merreshin dhe në cilin kod buxhetor do të transferoheshin. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Mbase nga padituria. Kjo e para.

Mobi Casa

E dyta, nuk është politikisht parimore për një subjekt politik të pozicionuar për mënyrën e zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë që para se të kërkoj fabrika të kërkoj asfalt. A nuk është ky subjekt politik që me mijëra herë ka ngritur zërin kundër politikave të deritanishme pro asfaltit e tani çuditërisht i kthehet po këtyre politikave.

Pra një kërkesë pa këto dy elemente fundamentale pashmangshëm që degradon në dëshirë apo cirk politik. Hipokrizi politike.

Krejt në fund, nevoja dhe kërkesa për rregullimin e rrugëve Viti- Gërlicë dhe Viti-Kllokot ka qenë e kamotshme nga politikbërës të komunës së Vitisë. Kjo nevojë është aktuale edhe tash. Mirëpo derisa nuk kemi asnjë përfaqësues, të paktën deri më tani, nga komuna jonë në Qeverinë e Republikës së Kosovës për mendimin tim është naivitet që të pritet të bëhet një gjë e tillë.

Në të njëjtën kohë, krahas kërkesës për përfshirje në qeveri, kjo detyrë do të duhej të ishte prioritet për kryetarin e komunës së Vitisë dhe degën e PDK-së në Viti të. Këta dy faktorë do të duhej që ta adresonin këtë çështje tek partitë e tyre respektive në mënyrë që këto projekte të përfshihen me rastin e rishqyrtimit të buxhetit të vitit 2015./rajonipress/