Hipokrizia e Thaçit dënohet ashpër

Politikanët kryesorë të shtetit të Kosovës, që për disa vjet rresht janë në krye të shtetit dhe janë treguar si qeveritarët e dështuar në instalimin e shtetit ligjor, po vazhdojnë që për dështimet e veta ta fajësojnë Bashkimin Evropian që po e mban akoma Kosovën si një geto të izoluar pa liberalizim vizash edhe pas Raportit të fundit të Progresit.
Edhe reagimin e djeshëm tepër të ashpër të presidentit Hashim Thaçi karshi BE-së, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike dhe ekspertë të sundimit të ligjit, njohësit e politikës, e shohin si një reagim tepër hipokrit. Ai tha se BE-ja, në mungesë të unitetit përbrenda, kinse ka dështuar dhe po vazhdon të dështojë në trajtimin e Kosovës në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera që aspirojnë anëtarësimin në BE dhe si pasojë e kësaj qasje Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor dhe perspektiva e anë- tarësimit në BE mbetet tepër e paqartë. Tepër joserioz e ka cilësuar këtë justifikim të presidentit deputeti i LDK-së, Adem Salihaj. “Hashim Thaçi po mundohet ta shfajësojë veten dhe të paraqitet mbrojtës i interesave të Kosovës, e në fakt është krejt e kundërta e gjithë kësaj.
Është fakt që BE-ja i ka vënë Kosovës kushte të rënda dhe diskriminuese, të cilat nuk ia ka vënë asnjë shteti tjetër, shkruan gazeta Kosova Sot.
Por, është fakt gjithashtu se Thaçi me kompani e ka ngulfatur Kosovën me korrupsion dhe krim të organizuar dhe ia ka shkatërruar asaj perspektivën evropiane”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.
Ish-lideri i PDK-së thelloi degradimin e shtetit
Po të njëjtin gjykim e ka edhe Teuta Haxhiu, deputete nga AAK-ja. “Pikërisht reagimi, jo vetëm tani ndaj Raportit të Progresit, nga ana e presidentit Hashim Thaçi, por edhe me shumë reagime të tjera, të cilat po i bën kohët e fundit, po tregojnë se ai vetëm sa po pretendon ta nxjerrë të pafajshme e të pastër për dështimet e deritashme të qeverisjes figurën e vet”, u shpreh ajo. Sipas saj, më së shumti fajtor është pikërisht presidenti i tanishëm i vendit, Hashim Thaçi, i cili gjatë gjithë qeverisjes së tij në dy mandate, duke qenë në pozitën e kryeministrit dhe në këtë mandat fillimisht si zëvendëskryeministër e tani si president, Kosova vetëm sa e ka thelluar degradimin në çdo fushë dhe çdo sektor institucional. “Për fat të keq i njëjti trend po vazhdon edhe tani në bashkëqeverisjen PDK -LDK, ngase përkundër faktit që Thaçi është president i vendit prapë ndikimet direkt i ka në PDK dhe në telekomandimin e politikave të qeverisjes së vendit, pavarë- sisht që nga ana formale ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i partisë”, tha deputetja Haxhiu për “Kosova Sot”.
Asnjë politikan i lartë nuk u dënua për afera
Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën janë dhënë shumë vërejtje, të cilat lidhen drejtpërdrejt me dështimet e Qeverisë së kaluar dhe të tashme të Kosovës dhe këto dështime nuk mund të mbulohen para opinionit, duke akuzuar strukturat e BE-së. “Ne jemi dëshmitarë se në Kosovë kemi një dështim të lartë të shtetit ligjor. Sa e sa herë kemi shkruar dhe është thënë se kemi qeveri të korruptuar dhe të kriminalizuar. Dhe, në këtë anë çfarë bëri vendi i ynë, organet e shtetit për të luftuar këto dukuri shumë të dëmshme. Tani ajo që është ngarkesë plus dhe e vetme për Kosovën, kundruall vendeve tjera, është edhe demarkacioni. Por, edhe këtu, si në rastin e parë, shkaktar është drejtpërdrejt Qeveria, kryesisht ish-kryeministri Thaçi dhe tash Mustafa”, u shpreh ai. “Në Kosovë kemi dështim tepër të madh dhe deri më tani askush nuk është përgjigjur nga niveli qendror për këso veprimtarish kriminale. Asnjë politikan, udhëheqës i ndonjë bordi, gjykatës a prokuror, person që e ka krimin ekonomik apo tjetër në dorë nuk është dënuar. Kemi vetëm disa dënime të nivelit të ulët dhe të karakterit qesharak”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.