Uji Dea

Himn poetik nga libri “Heroika”

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Eja muzë e ngadhënjimit të artit, fletë e çdo dite, muaji dhe viti, kjo kohë më bën të vet-digjem, me bashkudhëtaren time, poezinë

Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur

Në shpirtin vullkanor të poezisë
bërë i kam betejat e secilit varg
në jetën biologjike të këtij libri
je nënëmadhja e arbërimit tonë

Shqipëri, unë e ti jemi një gjak
që nga pellazgët e lashtë e Iliria
toka jonë qé shesh i luftërave
dhe arenë gjaku e perandorive

Kosovë, kryengritëse e këngës
stërmbesë e dardanëve të Trojës
në trup ende ke plagë të gjakut
nga fqinjët që tokat t´ i morën

2

—————————————————

Uji Dea

Liri, bëje dorën grusht mos u jep
me emrin tënd u rritëm betejave
për ty dashurova mes plumbave
për ty i rashë grusht dallgëthyesve

Nuk ka paqe për lumin me vaj
nuk ka paqe për lumin e ndarë, me
pikën e gjakut i këndoj bashkimit
liri, këngës dua t´i shkojë në fund

Në kryqëzim të kohës së tashme
zjarri ende bën luftë me errësirën
Shqipëri, trashëgimtare e pellazgëve
me ty e kam vajtimin zëmadh

Atdhe, në trup i kam pesë plagë
në pasqyrë i shoh armiqtë e mi
kjo botë qenka vërtet me përrallë
Shqipëri ka veç në gjuhën time

Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
arti i çlirimit nuk njeh kufij
në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..

Rrustem Geci – poezi nga libri “Heroika”