Hill për dialogun: S’jemi në fund të procesit, diku në mes, ndoshta kemi rënë pak në baltë

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është vendimtar dhe se serbët duhet ta dinë të ardhmen e tyre. Për këtë, ai thotë se e mbështesin atë.

“Mendoj se komuniteti serb në Kosovë duhet të dijë se si do të jetë jeta dhe e ardhmja e tyre dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqishëm Asociacionin e Komunave Serbe – kjo është vendimtare”, tha Hill në Dnevnik të Nova.rs, transmeton Express.

Hill gjithashtu u shpreh optimist për procesin e dialogut, për të cilin tha se aktualisht ka rënë “pak në baltë”.

“Nuk jemi në fund të procesit, jemi diku në mes, ndoshta kemi rënë pak në baltë, por po ecim përpara”, tha ai.

Hill nuk u pajtua me deklaratën se shqiptarët në Kosovë janë të gatshëm të bëjnë gjithçka nëse SHBA-ja vërtet dëshiron diçka dhe se për këtë mjafton një telefonatë kur u pyet në kontekstin e themelimit të Asociacionit.

“E kuptoj që ka njerëz që besojnë në këtë, por nuk jam dakord me këtë”, tha ambasadori.

Fundamenti

Ai nga ana tjetër thekson se Kosova dëshiron të jetë pjesë e strukturave euroatlantike.

“Nga perspektiva e Kosovës, kur shikojnë prapa në dekadat e kaluara, shohin se kanë nevojë për një bazë më të madhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që të përfundojnë negociatat për t’iu bashkuar strukturave euroatlantike”, tha ambasadori amerikan.

Ai pohon se të dyja palët duan që diçka të përmbushet, por gjithashtu thotë se të dyja mund të mësojnë shumë nga përvoja e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të SHBA-së, Gabriel Escobar.

Hill shtoi se SHBA do që Kosova të lëvizë në drejtimin e duhur, duke pranuar se ka probleme gjatë rrugës, por se ai është optimist.

“Unë nuk do ta përjashtoja optimizmin si një mënyrë për t’i parë gjërat. Optimizmi, nëse zbatohet mirë, mund t’ju ndihmojë të përparoni, nuk shoh asnjë arsye për t’u pushtuar nga pesimizmi”, tha ai.

Optimizmi i Hill vjen pas njoftimit për një takim të nivelit të lartë më 14 shtator.