Hill: Pala serbe me qasje konstruktive në dialog, nëse jam i brengosur për disa gjëra nuk ua them ato në televizion
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill thotë se është shumë e rëndësishmë që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë të mos jetë kufi që ndan dy vende, por një kufi që lehtëson komunikimin.
Hill në një intervistë për N1 ka thënë se ShBA’të dëshirojnë që të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Është më e mira për të gjithë, përfshirë popullin e Kosovës dhe popullin e Serbisë. Prandaj, shpresoj që procesi i udhëhequr nga ambasadori Lajçak të vazhdojë. Shpresoj se do të mbizotërojë logjika e arritjes së normalizimit dhe zgjidhjes së problemeve të popullit në Kosovë. Njerëzit duhet të dinë se çfarë i pret e ardhmja. Këtu nuk bëhet fjalë për politikë të lartë, por duhet shpjeguar popullit se si do të duket. A do të kenë spitale, a do të mund të studiojnë në gjuhën serbe. Njerëzit kanë të drejtë t’i dinë këto gjëra, këto janë çështje të rregulluara në kuadër të Asociacionit të Komunave Serbe, unë dhe qeveria ime dëshirojmë që kjo të zbatohet”, tha Hill.
Tutje, ambasadori amerikan tha se pala serbe ka pasur një qasje shumë konstruktive në kuadër të dialogut, transmeton Gazeta Express.
“Unë nuk do t’ju jap një pamje të Prishtinës, ju duhet të sillni një mysafir nga Prishtina për të folur për të, por mendoj se gjërat duhet të ecin përpara dhe dua të shtoj se autoritetet serbe kanë pasur një qasje shumë konstruktive në kuadër të dialogut. dhe unë do të doja të shikoja që të vazhdojë”, tha ai.
Hill derisa tha se pala serbe ka ndërtuar një qasje të duhur në dialog, shton se nëse ka gjëra për t’u shqetësuar nuk i shpreh në televizion.
“Kanë punuar shumë për të ndërtuar një qasje të duhur. Megjithatë, dua të theksoj edhe një herë – nëse jam i shqetësuar për disa gjëra, nuk flas për to në televizion, por në një bisedë personale me njerëzit”, tha ai.