Hill: Kosova ta bëjë Asociacionin, Serbia të mos e pengojë për anëtarësim në komunitetin ndërkombëtar
Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, në “Forumin Ekonomik të Beogradit” ka folur për procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Hill ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet një temë e vështirë, duke përmendur vitin 1999 dhe 2008 si data kyçe. Diplomati amerikan ka thënë se është e qartë që mes dy shteteve ka ende gjëra të pazgjidhura dhe se BE-ja me këmbëngulje po përpiqet për një zgjidhje në këto problematika.
Hill ka përmendur Asociacionin, duke thënë se është e nevojshme që serbët ta dinë se si do të jetë jeta e tyre .
“Kosova është një temë e vështirë në këtë vend, ka data kyçe – 1999 dhe 2008, është e qartë se ka tema që kanë mbetur dhe nuk janë zgjidhur. Bashkimi Evropian me këmbëngulje po përpiqet t’i zgjidhë këto çështje. Në procesin e Brukselit, ka elementë që janë në tavolinë – çfarë duhet bërë më në fund. Është e nevojshme që serbët në veri të Kosovës të dinë se si do të jetë jeta e tyre dhe mendoj se i gjithë koncepti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është thelbësor”, ka thënë ambasadori amerikan, trasnmeton Express.
Tutje diplomati amerikan me përvojë ka kujtuar faktin se Kosova edhe pas 15 vitesh pavarësi vazhdon të mos njihet ende nga 5 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe shumë vende të tjera të botës.
Christopher Hill ka potencuar se Kosova ka nevojë për më shumë kapacitete për të qenë një lojtar ndërkombëtar. Ai thotë se në tavolinë është ideja fillestare që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe në këmbim të marrë një tërheqje të Serbisë për të lejuar Kosovën që të kërkojë anëtarësim në bashkësinë ndërkombëtare.
Hill thotë se një gjë e tillë s’është e lehtë, por se kjo duhet të ndodhë.
“Kosova ka nevojë për më shumë kapacitete për të qenë një lojtar ndërkombëtar. Ideja fillestare që është në tryezë është se do të ketë një Asociaconi të Komunave me Shumicë Serbe dhe në këmbim Serbia do të tërhiqet dhe do t’i japë Kosovës kapacitet për të kërkuar anëtarësim në bashkësinë ndërkombëtare. Nuk është e lehtë, ju gjithmonë mendoni se negociatat janë një ekuacion që e mësoni në shkollën e mesme në matematikë, por është gjithmonë më kompleks se sa mendoni, por kjo duhet të ndodhë”, ka thënë Hill në Forumin e 23-të Ekonomik të Beogradit./GazetaExpress/