Hill: E ardhmja e serbëve të Kosovës në tavolinën e bisedimeve

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, para takimit të kryeministrit Kurti me presidentin serb Vuçiq në Bruksel, ka thënë se e ardhmja e serbëve të Kosovës gjendet në tavolinën e bisedimeve.

“Në lidhje me dialogun duhet thënë se problemet janë shumë të njohura dhe një problem themelor është të gjejmë, cila do të jetë e ardhmja e serbëve në Kosovë e të adresohen çështje se çfarë lloj fqinjësh duan të jenë ata në të ardhmen”, tha Hill për DW.

Ai tha se ka gjithmonë rrezik që situata të shkallëzohet, prandaj tha se është detyra e gjithkujt të qetësohen tensionet.

“Njerëzit mendojnë më mirë kur nuk kanë tensione dhe kërkojnë më mirë rrugët për të ecur përpara, kur nuk ka tensione”.

Ambasadori amerikan bëri me dije se ka pasë përpjekje për të identifikuar ku janë problemet.

“Ka disa çështje me rëndësi si ajo e elektricitetit, në veriun e Kosovës, edhe çështja e dokumenteve për automjetet, të gjitha janë çështje të njohura. Çështja se cila është e ardhmja e komunitetit serb në Kosovë, çfarë kompromisesh duhen bërë në mënyrë që komuniteti serb të ndjehet mirë në Kosovë”.

Hill tha se të gjitha këto çështje janë të njohura dhe janë mbi tryezë, prandaj nuk duhet të ketë më vonesë.

Ai në fund tha se ka ardhur koha për progres serioz mes Kosovës dhe Serbisë./Gazeta Express/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS