ARKATANA

Hije e zezë i bie Shqipërisë

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Aventura e çiftit çek, të cilët kishin zgjedhur Shqipërinë për të nisur pushimet e sezonit veror, përfundoi në tragjedi, pasi u bënë pre të një sulmi me armë. Destinacioni i tyre i radhës ishte një tjetër fshat turistik, ndërkohë që rrugëtimi i tyre për të eksploruar natyrën e bukur që ofrojnë vendet e Ballkanit u ndërpre në Dukagjin, pas kthimit nga Thethi.

Në kohën kur nga organizata prestigjioze ndërkombëtare të fushës së turizmit ishte radhitur ndër vendet kryesore që sugjeroheshin për t’u vizituar, Shqipëria ka marrë një goditje të rëndë jo vetëm në fushën e turizmit, por edhe në atë të sigurisë.

Vrasja e një çifti të rinjsh çekë, të cilët po vizitonin dhe reklamonin bukuritë natyrore shqiptare, ditën e premte, në zonën e Dukagjinit, në Shkodër, është një krim, i cili i ka hedhur hije të zezë Shqipërisë e mikpritjes së proklamuar shqiptare.

Michael Svatos, 27-vjeçar dhe Anna Kosinova, 36-vjeçe, janë ekzekutuar në një pritë të premten në mbrëmje teksa po ktheheshin nga Thethi për në Shkodër, saktësisht në fshatin Prekal.

30 mijë euro kush jep informacion

Ndërkohë, të shtunën, Policia e Shtetit shqiptar ka njoftuar se ofron 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion të saktë mbi autorët e vrasjes së turistëve çekë në Dukagjin. Për këtë qëllim, Policia ka vendosur në dispozicion të qytetarëve edhe numrin 0694103984 dhe garanton anonimatin.

Ndërkohë, grupi hetimor, kryesuar nga prokurori vazhdon këqyrjen e vendit të ngjarjes, automjetit si dhe fiksimin e provave të tjera që mund të hedhin dritë mbi vrasjet. Nga hetimet e deritanishme, policia dyshon se autorë të vrasjes së dy turistëve çekë janë katër të rinj, të moshës 18-35 vjeç, banorë të zonës.

Dinamika e gjithë veprimeve, tregon se ndaj turistëve ishte përgatitur një kurth i mirëmenduar për grabitjen e tyre dhe me ta në makinë ishte edhe një nga autorët e krimit. Sipas policisë, pak metra pasi kanë lënë fshatin Prekal turistët u gjetën përballë një prite dhe një kurthi të ngritur nga personi që kishin me vete në makinë.

Madje, hetimet tregojnë se dy turistët janë vrarë me plumba pas koke, çfarë përforcon dyshimet se një nga autorët kryesorë të kësaj ngjarjeje ishte personi që po udhëtonte, si shoqërues apo si pasagjer, së bashku me turistët.

Fotografia e fundit në “Facebook” – flamuri shqiptar

Aventura e çiftit çek, të cilët kishin zgjedhur Shqipërinë për të nisur pushimet e sezonit veror, përfundoi në tragjedi, pasi u bënë pre të një sulmi me armë. Destinacioni i tyre i radhës ishte një tjetër fshat turistik, ndërkohë që rrugëtimi i tyre për të eksploruar natyrën e bukur që ofrojnë vendet e Ballkanit u ndërpre në Dukagjin, pas kthimit nga Thethi.

Dy të rinjtë çekë ndanë me miqtë e tyre deri pak orë para se të ekzekutoheshin, gëzimin dhe natyrën e bukur që i ofroi Shqipëria, në të cilën edhe humbën jetën. Në një vëzhgim në profilet në “Facebook” të Michael Svatos dhe Anna Kosinova dallohen fotot nga aventura e tyre në Shqipëri.

FIDANISHTJA

Në një foto të fundit, të cilën e ka shkrepur i dashuri i 36-vjeçares, duket Anna teksa ekspozon pranë makinës Nissan, i njëjti automjet në të cilin dy të rinjtë u qëlluan me breshëri Kallashnikovi, ndërsa ktheheshin nga Thethi për në Shkodër mbrëmjen e të premtes.

Në foto dallohet i njëjti automjet, me të cilin çifti i turistëve kishin nisur turin për të eksploruar bukuritë e rralla të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Mbi makinë bie në sy çadra që i shoqëronte të rinjtë në çdo destinacion që merrnin.

Fotot shfaqin disa nga momentet më të gëzuara të çiftit, që nuk mundën dot të përfundonin udhëtimin e tyre. Pamjet tregojnë disa nga peizazhet që çiftit i kanë mbetur në mendje, ndërkohë që këtë udhëtim e kanë ndërmarrë të vetëm. Për ironi të fatit, pak orë para vrasjes makabre, çifti postoi në “Facebook” një foto të flamurit shqiptar, shtetasit e të cilit do t’i merrnin jetën pak më vonë për arsye ende të paqarta.

Homazhe në Shkodër, Meta dënon “aktin barbar”

Shoqëria civile në qytetin e Shkodrës dhe qindra të rinj kanë reaguar pasditen e së shtunës me një tubim në heshtje në qendër të qytetit, me qirinj e foto, në nder të dy turistëve çekë. Marshimi-homazh ka nisur te shatërvani dhe ka vazhduar në rrugën pedonale të qytetit, ku shumë prej tyre mbanin ndezur qirinj dhe foto të viktimave.

Qytetarë në krye të tubimit mbanin edhe flamurin çek ashtu siç një prej turistëve kishte postuar në rrjetet sociale flamurin shqiptar duke u valëvitur, vetëm dy ditë para se të vritej.

Fotot e dy viktimave qëndronin në krye të kortezhit, për të dhënë mesazhin se e gjithë Shkodra merr pjesë në hidhërimin e familjarëve të viktimave dhe se, një dorë krimi nuk mund të njollosë një popull.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka dënuar me ashpërsi “aktin barbar” në të cilin humbën jetën në mënyrë brutale dy turistët çekë, të cilët kishin zgjedhur të vizitonin Shqipërinë këtë verë. Nëpërmjet një deklarate për shtypin, Meta shpreh solidaritetin me familjarët e viktimave dhe kërkon nga organet e zbatimit të ligjit të vendosin përpara drejtësisë autorët e këtij akti barbar.

Shqipëria, vend i mallkuar për turistët çekë

Çifti i turistëve çekë, që u vranë të premten në mbrëmje, nuk janë të vetmit që kanë pasur Dukagjinin si udhëtimin e fundit.

Në vitin 2001 tre turistë çekë u vranë dhe u zhdukën në fshatin Theth, dhe ende sot nuk dihet se ku janë trupat e tyre, ndërsa në gusht të një viti më parë një turiste çeke, Martina Mala, u plagos rëndë me armë zjarri në një lokal nate, në plazhin e Velipojës.

Në muajin qershor të vitit 2014 një tjetër turist çek u aksidentua për vdekje, ndërsa një 26-vjeçar, në muajin maj të këtij viti, humbi jetën në lumë, në zonën e Dukagjinit, aksidentalisht duke bërë rafting./zeri/