HIDROMORAVA

Hidromorava menaxhon edhe fshatrat

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Është nënshkruar të premten marrëveshja në mes të kryetarit të komunës Qemajl Mustafa, drejtoreshës së Hidromoravës Myrvete Hoti dhe përfaqësuesve të fshatrave Miresh e Llovcë, që rrjeti i ujësjellësit në këto dy fshatra tani e tutje të kalojnë në menaxhim të Hidromoravës.

Ky projekt, që i ka bërë me ujë të pijes Mireshin e Llovcën sipas Mustafës ka kushtuar mbi 300 mijë euro dhe se shumica e fshatrave të Gjilanit, po e kanë tani rrjetin e ujësjellësit, por sipas tij me disa është një përvojë jo e mirë andaj ka kërkuar nga përfaqësues të fshatrave ti ruajnë këto asete dhe të jenë të përgjegjshëm edhe karshi Hidromoravës me kryerjen e obligimeve e edhe karshi përdorimit të ujit, duke mos e keqpërdorë atë.

Qemajl Mustafa tha se po bëhet punë e mirë në shtrirjen e rrjeteve të ujësjellësit edhe nëpër viset rurale dhe se edhe këto asete të rëndësishme për këto dy fshatrave po kalojnë në menaxhim të Hidromoravës, por se qytetarët e kësaj ane duhet të jenë të përgjegjshëm dhe se ujin ta shfrytëzojnë racionalisht për atë çfarë është i destinuar.

Mustafa ka thënë se bartja e këtyre rrjeteve në menaxhim të “Hidromoravës” është shumë me rëndësi dhe beson që shkalla e inkasimit nëpër fshatra që nuk është e kënaqshme tashti do të rritet, do të evitohen më lehtë problemet teknike dhe ujë do të ketë më me bollëk.

Fundamenti

Sipas të parit të komunës, Kompania e Ujit “Hidromorava” po vije në situatë të palakmueshme edhe atë shkaku i mospagesës, andaj ai ka kërkuar nga qytetarët që t’i kryejnë obligimet, pastaj të vetëdijesohen qytetarët që uji të mos derdhet kot, të ruhet e të krijohet sjellja etike dhe e moralshme ndaj të tjerëve, ngase nëse dikush harxhon pa nevojë, tjetri do të mbetet pa ujë fare.

Mirvete Hoti, drejtoreshë në KRU “Hidromorava”, tha se kanë përvojë të keqe me disa fshatra, por nga qytetarët e Mireshit dhe të Llovcës që gjatë kanë pritur për ujë dhe tashti e kanë, beson se do të hasin në mirëkuptim. Ajo ka kërkuar që të kursehet uji e të mos shteren burimet, ndërkohë që edhe pagesa të bëhet në mënyrë të rregullt që edhe menaxhimi të jetë më i mirë.

Përfaqësuesit e fshatrave Ekrem Kryeziu nga Mireshi dhe Nuhi Xhelili, nga Llovca, thanë se komuna e donatorët kanë bërë punë të madhe dhe se do të ndikojnë te qytetarët që të jenë më të përgjegjshëm, nga siç thanë ata uji është jetik për ato familje që jetojnë në ato pjesë./rajonipress/