“Hidromorava” alarmon Qeverinë për mungesën e ujit në Gjilan

Gjilan – Departamenti teknik i “Hidromoravës” i kryesuar nga Mumin Morina e Bashkim Halabaku kanë përpiluar një plan – elaborat i cili është aprovuar nga Bordi i “Hidromoravës” i kryesuar nga Avdyl Hasani, dhe drejtoresha gjenerale Myrvete Hoti. Ky plan i detajuar i është dërguar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Planifikimit dhe Ambientit për mbështetje të daljes nga kriza e ujit.
E ballafaquar me mungesë ekstreme të ujit Bordi i “Hidromoravës” në Gjilan nuk ka qëndruar duarkryq. Duke parë gjendjen e rëndë Bordi ka hartuar dhe aprovuar një plan konkret që i është dërguar institucioneve relevante, raporton rajonipress.
Mumin Morina i cili edhe ka marrë pjesë në hartimin e këtij plani tha për rajonipress se tashmë edhe Qeveria e Kosovës është e njoftuar për krizën e madhe të ujit që po mbretëron në Gjilan.
Plani në detaje tregon për gjendjen aktuale të furnizimit me ujë, masat e ndërmarra nga ana e KRU “Hidromorava” në Gjilan, alternativat kohore për daljen nga kriza dhe propozimet për investime. Gjithashtu plani ka përfshirë edhe planin strategjik afatshkurtër viti 2014, plani Strategjik afatmesëm viti 2014-2017 dhe plani Strategjik afatgjatë viti 2014-2020.
Plani mendohet të përballoj sa më lehtë situatën e krijuar. “Ky plan përpos aktiviteteve të kompanisë parasheh edhe alternativat për investime të mundshme të cilat priten të ndodhin përmes Komunës, Qeveris së Republikës së Kosovës apo edhe nga ana e donatorëve. Plani investiv do të përfshijë një përmbledhje kryesore të projekteve që janë paraparë në “Elaborati i hulumtimit të burimeve ekzistuese dhe mundësisë së shtimit të kapaciteteve të ujit të pijshëm për regjionin e Gjilanit”, e hartuar nga ndërmarrja private shërbyese “Gjeo-ing”- Viti. Plani investiv për infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit në komunën e Gjilanit” e hartuar nga Komuna e Gjilanit dhe KRU “Hidromorava”. Gjendja aktuale e burimeve te ujit qe menaxhohen nga KRU “Hidromorava”nw Gjilan” thuhet në elaboratin e “Hidromoravës” dërguar dy ministrive.
Në elaborat thuhet se problemi kryesor aktual që është duke u përballur kompania “Hidromorava” është niveli shumë i ultë i ujit në akumulacionin e Perlepnices. “Aktualisht niveli i ujit në akumulacionin e Perlepnices është 13.20 m dhe ky nivel përkundër zvogëlimit të kapacitetit prodhues për 50% edhe më tutje është duke rënë. Ky nivel i ujit në fakt është më i ultë që nga ndërtimi i pendës me përjashtim vitin 1994 kur për shkak të mungesës së reshjeve dhe thatësisë- uji nga liqeni i Perlepnices ishte ndërprerë”.
Elaborati ka saktësuar edhe masat e ndërmarra nga ana e KRU “Hidromorava” dhe alternativat kohore për daljen nga kriza dhe propozimet për investime.
Plani Strategjik afatshkurtër i vitit 2014 , parasheh disa propozim projekte duke filluar me projektin e ujësjellësit në lokacionin “Livadhet e Koretishtes” në Gjilan, i cili gjendet në afërsi të qytetit.
Elaborati parasheh edhe shtimin e kapaciteteve të ujit te “BAJA” në Gjilan përmes shpimeve eventuale, pastaj sigurimi, blerja e autocisternave për bartje të ujit të pijes.
“Situata e krijuar për shkak të mungesës së reshjeve patjetër kërkon edhe përgatitje në rast të nevojës së transportimit të ujit. Kompania aktualisht ka mungesë të këtyre automjeteve dhe një investim i tillë në blerje të dy autocisternave do ta ndihmonte kompaninë në përballjen sa më të lehtë të situatës nëse në ndërkohë nuk kemi përmirësim të situatës”.
Edhe tek Plani Strategjik Afatmesëm viti 2014-2017 elaborati këto projekte i sheh i projekte emergjente dhe për këtë arsye kërkojnë kohë më të gjatë në realizimin e tyre. Këto projekte kryesisht kanë të bëjnë me investime në ndërrimin e gypave të ujësjellësit, sigurim dhe montim të ujëmatësve, shtrirje të rrjetave të reja, etj.
Ndryshe “Hidromorava” nga e hëna ka futur në punë rezervuarin në “Kodrën e Dëshmorëve”, investim i realizuar nga Qeveria e Zvicrës. Rezervari ka kapacitet prej 3000 m kub ujë dhe mendojmë se do ta ndihmojë shumë kompaninë në përballje sa më të lehtë të situatës së krizës së ujit tha Mumin Morina./rajonipress/