RCCOLA

Hetohet Partneriteti Publiko Privat në Gjilan

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Prokuroria e Qarkut pritet të hetojë dhe dëgjojë versionin e zyrtarëve komunal rreth Partneritetit Publiko Privat i cili ishte kritikuar nga opozita. Nën llupën e hetuesve janë edhe Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku dhe Nazim Jashari. Për hetimet e fundit Qemajl Mustafa tha se unë dhe stafi im jemi të gatshëm në çfarëdo lloj ballafaqimi dhe të sigurt jemi që do të dalim faqebardhë e plotësisht të pastër në proceset publike për shtetin dhe për të mirë të publikut.

Ndonëse fillimisht ishte angazhuar Prokuroria Speciale e Kosovës për ta hetuar lëndën e partneritetit publiko privat në Gjilan, për shkak të angazhimeve të mëdha, ky rast tashmë ka kaluar në duar të Prokurorisë së Qarkut në Gjilan.

Burimet tona nga Gjykata dhe Prokuroria thanë se në pistën e hetimeve rreth partneritetit publiko privat janë : Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku- menaxhere në zyrën e prokurimit dhe Nazim Jashari i angazhuar në këtë proces. Që të tret dyshohen se kanë kryer veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare”.

Procesi i Partneritetit Publiko Privat (PPK), ishte përcjellur me tensione e reagime në Gjilan nga ana e taborit opozitar dhe pushtetit komunal. Zyrtarët komunal e shihnin PPK si një proces që do t`i sjellë të mira zhvillimit ekonomik të Gjilanit, derisa opozita shprehte rezerva dhe dyshime në këtë proces, i cili sipas tyre nuk ishte shumë transparent.

Por, Qemajl Mustafa i kontaktuar nga rajonipress jep versionin e tij rreth PPK dhe hetimeve të fundit. “Mekanizmat institucional për monitorim, auditim, kontroll dhe për hetim të proceseve në qeverisje janë të domosdoshme, përndryshe pa prezencën e tyre rrezikojmë të bëjmë gabime më të mëdha deri te degradimi i skajshëm i qeverisjes dhe i procesit për shtetësinë. Pra, në komunën të cilën unë e udhëhiqi, janë të mirëseardhur të gjithë këta mekanizma të cilët janë të akredituar e licencuar bazuar në ligj” tha Mustafa.

Mustafa tha se do të donim natyrisht që kapacitetet e tyre të jenë profesionale dhe politikisht plotësisht të paanshme. A është ky rasti me Kosovën? . Është për t’u diskutuar gjatë dhe mirë në instancat më të larta të shtetit tonë të ri.

RCCOLA

Mustafa tha se sa u përket proceseve të nisura e disa prej tyre edhe të kurorëzuara me marrëveshje bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës siç është ligji mbi pronën, ligji mbi dhënien e tokës publike në shfrytëzim, ligji mbi ndërmarrjet publike, ligji mbi shoqëritë tregtare, ligji mbi PPP etj , mund të them që e marr përgjegjësinë e plotë si kryetar i komunës që çdo gjë ka nisur ngadalë e mirë e duke e studiuar bazën ligjore të Kosovës, në mënyrë që të mos bëhet ndonjë tejkalim ligjor.

“Gjithashtu sa i përket vullnetit politik dhe qëllimit strategjik që komuna të jetë e zhvilluar, të hapim vende të punës, ta qarkullojmë kapitalin, ta rrisim buxhetin lokal dhe nacional çdo gjë është në rregull. Me partneritetet e nisura, por edhe me ato që patjetër do të nisin në të ardhmen përfitues të drejtpërdrejtë janë qytetarët e komunës. Pra, u kemi çelur rrugë investitorëve nga brenda dhe jashtë, kemi hapur vende të punës, po e modernizojmë dhe ristrukturojmë qytetin, po e rrisim vlerën e tokës së komunës dhe të kompanisë “Higjiena”, po e kursejmë tokën bujqësore me ndërtime të larta dhe për biznes. Krejt kjo është përcaktim siç e thash strategjik i Kosovës dhe i komunës time dhe tuajes” thotë kreu i Gjilanit.

Duke e arsyetuar PPK Mustafa tha se pa investime të kapitalit privat nuk është ngritur asnjë shoqëri moderne, andaj kështu do të ndodhë edhe me ne. Befasuese për mua pra, nuk janë hetimet po invazioni për ta hetuar procesin dhe komunën e që ka shkaktua huti në një masë të mirë te zyrtarët të cilët paksa edhe janë penguar dhe demotivuar në punën e tyre të rëndë dhe të përditshme.

“Por, kjo aspak nuk ia zvogëlon bukurinë dhe sharmin komunës së Gjilanit të cilën e udhëheq unë me qindra shërbyes civilë, arsimtarë e mjekë të mrekullueshëm. Jemi dhe do të mbetemi më të mirët në konkurrencë me komunat e Kosovës. Ambicie jona është që t’i konkurrojmë regjionit dhe t’i afrohemi Evropës me standarde. Pse jemi vërtete më të mirët e në shumë fusha shkëlqejmë e thonë raportet e donatorëve dhe përkrahësve tanë të mrekullueshëm si USAID-i amerikan, SDC zvicerane, DANIDA e Danimarkës, KARITASI i Luxemburgut, Norvak-u i Norvegjisë, e shumë e shumë të tjerë. Ketë e thonë edhe raportet e MAPL dhe ministritë e agjensionet tjera në Qeverinë e Kosovës” shtoj Mustafa.

Por kreu i Gjilanit ka një hall tjetër. “Do të ishte fatkeqësi e llojit të vet (unë do të thosha fatalitet) nëse dikujt nuk i pëlqen ky trend kaq pozitiv në komunën tonë edhe përkundër mungesës së skajshme të investimeve nga Qeveria e Kosovës. Do të ishte më ultë se politizim dhe joprofesionalizem i hetuesisë nëse dikush me instruksione dhe për interesa të dikujt në prapaskena të luaj me procesin në komunë. Herët a vonë maskat bien përherë. Nuk dua dhe ende nuk mund ta besoj në asnjë mënyrë që hetuesisë së Kosovës po i ndodhë një gjë e tillë. Në të kundërtën zhgënjimi për mungesën e lirive dhe të perspektivës tonë edhe personale e private edhe si politikeberes, edhe si shtet e shoqëri do të ishte i pafund… Do shenja nuk janë të mira. “Pale ta shohim …” kanë thënë pleqtë tanë përherë”.

Edhe për hetimet e fundit Mustafa tha se unë dhe stafi im jemi të gatshëm në çfarëdo lloj ballafaqimi dhe të sigurt jemi që do të dalim faqebardhë e plotësisht të pastër në proceset publike për shtetin dhe për të mirë të publikut./rajonipress/