UBT

Hetohen zyrtarët e MPB-së

/ 6 minuta lexim

Katër zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

Gazeta “Zëri” ka siguruar një shkresë zyrtare, me të cilën Policia e Kosovës ka kërkuar nga ministria e Bajram Rexhepit që t’i japë informata të detajuara rreth udhëtimeve jashtë vendit të zyrtarëve të këtij dikasteri, Islam Caka, Dukagjin Dinaj, Drenusha Zeneli dhe Blerim Camaj, gjatë periudhës kohore 2010-2011.

Shkresa që i është drejtuar Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, që vepron në kuadër të MPB-së, me numër të referencës 06/03-147/12 mban emrat dhe nënshkrimin e tre hetuesve të Departamentit Special Antikorrupsion, togerëve Besim Berisha e Shemsi Haziri dhe rreshterit Mehdi Krasniqi.

“Departamenti Special Antikorrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës duke u bazuar në Autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës me numër PPSnr.53/2011 e datës 12.03.2012 kërkon të gjitha udhëtimet zyrtare jashtë shtetit për periudhën kohore 2010-2011 të zyrtarëve Dukagjin Dinaj, Drenusha Zeneli dhe Blerim Camaj”, thuhet në shkresë.

Kërkesa këtij departamenti nuk përfundon me kaq. Nëpërmjet kësaj shkrese kërkohen gjithashtu “të gjitha lëndët e gjetura nga auditori i brendshëm ku janë gjetur shkeljet, auditimi i datës 25.10.2011”. Në fund të këtij dokumenti, i cili cilësohet konfidencial, Departamenti Special Antikorrupsion kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që t’ua kthejë përgjigjen në afat sa më të shkurtër kohor.

Burime të gazetës brenda Policisë së Kosovës thonë se katër zyrtarët e hetuar dyshohen se gjatë qëndrimit jashtë Kosovës kanë bërë veprime të paligjshme, ndërsa shpenzimet e udhëtimeve janë mbuluar nga buxheti i vendit.

Islam Caka, disa javë më parë është suspenduar nga pozita e drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, ndërsa Drenusha Zeneli është asistente administrative e tij. Dukagjin Dinaj ka qenë drejtor i Zyrës Ligjore në Shkollën e Policisë në Vushtrri, aktualisht noter i certifikuar nga Ministria e Drejtësisë, dhe Blerim Camaj, kryeshef i Agjencisë për Regjistrim Civil.

Mirëpo, drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të premten nuk e kanë mohuar këtë çështje, dhe gjithashtu nuk kanë dhënë informata për të.

I pyetur se a i është përgjigjur MPB-ja Departamentit të Antikorrupsionit, dhe se për çfarë keqpërdorimesh konkrete bëhet fjalë, sekretari i kësaj ministrie, Ilhami Gashi ka thënë shkurt se kjo është punë e Departamentit Antikorrupsion dhe se ai nuk ka të drejtë të komentojë punën e hetuesisë. Ndërsa, zëvendësministri i Brendshëm, Ismet Ibishi, ka thënë nëpërmjet telefonit se nuk ka informata për hetimin në fjalë.

Hetimin e katër zyrtarëve të MPB-së nuk e kanë mohuar as zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët megjithatë, janë shprehur të rezervuar në dhënien e informatave, nën arsyetimin se një gjë e tillë do t’i pengonte hetimet.

“Policia e Kosovës nuk komenton për asnjë rast, i cili mund të jetë në proces hetimor në mënyrë që të mos pengohet mbarëvajtja e hetimeve”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Mobi Casa

Ndërkaq, njëri nga personat e apostrofuar, Islam Caka ka mohuar se ka informacione se për çfarë hetimi bëhet fjalë.

“Unë nuk kam ndonjë informacion, jam duke u marrë me proceset, jam i pezulluar nga puna për një afat tremujor dhe unë pres që t’i kryej procedurat e brendshme dhe të jashtme. Nuk e kam idenë se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë ai nëpërmjet telefonit, duke shtuar se informata mund të japin ata që ia kanë dhënë “Zërit” shkresën zyrtare.

Por, për deputetët e partive opozitare, hetimi i katër zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Departamenti Antikorrupsion është tregues i qartë se në çfarë gjendje ndodhet ky dikaster.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë se pikërisht zyrtarët e MPB-së do të duhej të ishin shembull se si ruhet buxheti i vendit dhe si luftohet korrupsioni, e jo vetë të jenë “pasqyrë” e keqpërdorimeve.

“Është për të ardhur keq se ky rast nuk merret si çudi në Kosovë. Unë ndjehem i shqetësuar jo pse po hetohen, por me të gjeturat (e auditimit), ashtu siç thuhet në këtë dokument dhe ndjehem i shqetësuar pse fenomeni i keqpërdorimit të postit zyrtar ka arritur deri në këtë shkallë, sa që për fatin tonë të keq nganjëherë quhet edhe si normalitet”, thotë Selimi.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani thotë se hetimi i një dikasteri të MPB-së tregon se korrupsioni dhe keqpërdorimet e kanë një adresë.

“Dikush është duke e bërë korrupsionin dhe keqpërdorimet e detyrës. Nuk ka rëndësi se kush është, keqpërdoruesit duhet të burgosen”, thotë Ramdani.

Ai porosit hetuesit e policisë që të mos dorëzohen përballë presioneve kur kanë të bëjnë me hetime për “të fortit” e pushtetit, ngase siç thotë ai, “nëse nuk arrijë që t’i zhvillojnë hetimet e pavarura dhe të lira, ata nesër do të hetohen pse nuk i kanë bërë hetimet mirë”.

Mbikëqyren shpenzimi i parasë publike

Deputeti Rexhep Selimi thotë se Komisioni Parlamentar për Siguri ka formuar një grup punues për mbikëqyrjen e financave të institucioneve. Ai thekson se shkresa që ka nxjerrë në pah “Zëri” do të jetë njëra nga pik-referenca të cilës do t’i referohet ky grup punues për të kërkuar informata të detajuara nga MPB-ja, në mënyrë që të dihet konkretisht se për çfarë lloj keqpërdorimesh bëhet fjalë.