Hetohen Shaqiri e Mandzukic

Festimi kontrovers i golit nga ana e Xherdan Shaqirit dhe Mario Mandzukicit mund t’u kushtojë dy futbollistëve të Bayern Munichut. Sipas medieve gjermane, dy futbollistët bavarezë pritet të hetohen dhe të kenë punë me gjyqin.
Prokuroria e Nurnberg-Furth është duke e hetuar rastin, shkruan e përditshmja 20 Minuten Online. Nuk mund të thuhet për momentin nëse futbollisti shqiptar dhe ai kroat mund ta pësojnë për këtë gjest. “Varet nga situata, e cila do të ekzaminohet në rastin e të dyve”, ka thënë një zëdhënës i prokurorisë.
Hetimet do të zhvillohet sepse pas golit të Mario Mandzukicit në barazimin 1:1 ndaj Nurnbergut, ai e ngriti dorën e djathtë lart si një ushtar, e më pas njëjtë veproi edhe Shaqiri. Ky mund të vlerësohet edhe si një përshëndetje e Hitlerit, që në Gjermani është e ndaluar.
Edhe pse të dy futbollistët deri tash e kanë refuzuar vazhdimisht, duke thënë se nuk kanë lidhje me politikën, duket se dyshja i përshëndeti dy gjeneralët kroatë të liruar nga Haga, Ante Gotovina e Mladen Markac.