Fundamenti

Heshtja e shtetit paralajmëron ditë të errëta në veri

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Mbështetësit e ndarjes, në ofensivë

“Ajo çfarë po më befason më së tepërmi është edhe heshtja e Kuvendit të Kosovës si institucioni më i lartë në vend, që sipas meje nuk është fare në nivel të detyrës, pasi sikur po duket edhe deputetët tanë kanë rënë në gjumin dimëror dhe kryetari i Kuvendit nuk po e thërret një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar për këto dorëheqje”, thotë deputeti Ali Lajçi për “Kosova Sot”.

Për momentin mbetet një enigmë e madhe se përse, që nga 27 nëntori, kur katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë dhënë dorëheqje, Qeveria e Kosovës ende nuk ka reaguar. Shi për këtë, opozita po e akuzon Qeverinë se po bëhet pjesë e projektit të ndarjes së veriut të Kosovës. Ndërsa analistët vlerësojnë se edhe Kuvendi, si institucioni më i lartë në vend, ka rënë në gjumë dimëror dhe nuk po thërret një seancë të jashtëzakonshme. Andaj, analistët dhe qytetarët janë të mendimit se edhe këto dorëheqje janë pjesë e skenarit të planit ThaçiVuçiq për ndarjen e Kosovës. Analisti Shefik Shkodra, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se dorëheqjet e këtyre kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës (serbët) dhe protestat e tyre për taksën e prodhimeve nga Serbia janë të dyshimta se, nga vijnë dhe cili është qëllimi i tyre. “Që nga 27 nëntori asnjë reagim i Qeverisë së Kosovës, partive në pushtet e as i opozitës. Normalisht që është dashur dikush të insistojë dhe të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme lidhur me zhvillimin e këtyre ngjarjeve. Kjo lë për të dyshuar se, ndoshta janë me marrëveshje nga përfaqësuesit shqiptarë me ata të Serbisë. Duket sikur edhe banorët serbë të Mitrovicës janë të manipuluar si zakonisht, apo duan që ta realizojnë skenarin ashtu sipas ‘regjisorëve’ zyrtarë, Serbi – Kosovë”, potencoi ai. “Në anën tjetër, rastësisht e shikova B. Haxhiun në TV-në e tij në një intervistë me njërin prej deputetëve si sharlatan që është dhe shumë i krekosur me disa insistime si shumë ‘argumentuese’ e me anime. Pyetjet e tij vërtet janë më të ‘avancuara’ sesa të një prokurori. Është i padurueshëm. Dhe, animi i tij se duhet patjetër të ‘korrigjohen’ kufijtë apo të bëhet demarkimi, etj., është shumë i anshëm dhe pro Serbisë”, theksoi më tej Shkodra.

Destruktivitet i serbëve

Ndërsa analisti Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë të revoltuar për vendimin e taksës prej 100 për qind që e ka vënë Qeveria për të gjitha produktet serbe, si shenjë e hakmarrjes ndaj Qeverisë kanë dhënë dorëheqje nga posti i tyre. “Serbët e veriut janë distancuar thuajse nga të gjitha pozitat që ata i bartin në institucionet kosovare që është një lloj ngrirjeje e bashkëpunimit me instancat e shtetit ku janë dorëhequr katër kryetarë të komunave, kurse veç saj është mbyllur tërësisht edhe Gjykata Themelore e Veriut të Mitrovicës në shenjë të revoltës edhe për arrestimin e kokave kriminale që bartin edhe përgjegjësinë për vrasjen e liderit serb Oliver Ivanoviq”, u shpreh ai . “Nga të gjitha këto që sot po reflektohen në politikën kosovare, Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë qëndrim rreth zhvillimeve të fundit për të rebeluarit serbë në veri të Mitrovicës. Zyrtarë të Listës Srpska vazhdojnë të mbajnë pozitat e ministrave, ndonëse që disa muaj injorojnë mbledhjet qeveritare. Ndërkaq, javë më parë 10 deputetët e Listës Srpska kanë ofruar nënshkrimet e tyre për ta rrezuar Qeverinë, pjesë e së cilës janë edhe vetë”, potencoi Hertica. Sipas tij, po shihet qartë se presidenti nuk është i vetëm në idenë e tij për korrigjim të kufijve. “Është e papranueshme që për efekte populiste e të fushatës të rrezikohet integriteti territorial dhe ushtrimi i pushtetit në tërë territorin e vendit”, shpjegon ai.

PAZARE TË RREZIKSHME

Mobi Casa

Analisti politik Ilir Fetahu, për gazetën “Kosova Sot”, tha se pas vendimit që e merr Qeveria e Kosovës është presidenti i vendit ai që duhet t’i shpallë zgjedhjet në këto katër komuna serbe, por që në këtë rast një mendim paraprakisht për Qeverinë e Kosovës duhet që ta japë Ministria e Pushtetit Lokal, ndërsa më pas vjen koha kur presidenti i vendit duhet që të shpallë këto zgjedhje në këto katër komuna me shumicë serbe. “Nëse Qeveria dhe institucionet tona heshtin e nuk i përmbahen një parimi të tillë, pra atij të Ligjit të Pushtetit Lokal për zgjedhjet lokale në Kosovë, atëherë kjo na tregon se në këtë rast kemi të bëjmë me pazare të rrezikshme për Kosovën, të cilave u vjen një erë e keqe. Pra, në këtë rast duhet që të zbatohen ligjet në fuqi dhe në ato komuna me shumicë serbe duhet që të shkohet në zgjedhje dhe janë qytetarët e atyre komunave që marrin pjesë në këto zgjedhje, që do të vendosin se kush do t’i udhëheqë ata pas këtyre dorëheqjeve, andaj mendoj se në këto komuna nevojitet që sa më parë të shkohet në zgjedhje të reja”, vlerësoi ai.

PLANI MONSTRUOZ I THAÇIT

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita Ali Lajçi (LVV), për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se heshtja e deritashme e Qeverisë “Haradinaj”, por edhe e Kuvendit të Kosovës për dorëheqjet e 4 kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, vlerësojë se është e qëllimshme. “Prandaj jam shumë i bindur se mosreagimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me këto dorëheqje është një skenarë i përgatitur më herët. Nga heshtja dhe indiferenca që e tregon Qeveria ‘Haradinaj’, por edhe institucionet e tjera dhe Kuvendi, për këto dorëheqje të katër liderëve lokalë serbë në këto komuna me shumicë serbe qytetarëve tanë sikur po ua hapin sytë me gisht, duke dëshmuar se edhe Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi si organi më i lartë, po bëhen pjesë e projektit të ndarjes së veriut të Kosovës. Andaj, jam i mendimit se edhe këto dorëheqje të katër kryetarëve serbë të komunave me shumicë serbe nuk janë gjë tjetër vetëm se është një sekuencë dhe pjesë e skenarit të planit të Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit për ndarjen e Kosovës”, tha Lajçi .

Qeveria të mos rrijë duarkryq

Krahas analistëve, edhe qytetarët e anketuar po e akuzojnë Qeverinë “Haradinaj” se edhe ata po bëhet pjesë e lojërave për ndarjen e Kosovës. Qytetari nga Prishtina, Alajdin Alishani, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se heshtja e Qeverisë është një lloj pranimi i dorëheqjeve të katër liderëve serbë në këto komuna me shumicë serbe. “Qeveria duhet që nëpërmes Ministrisë së Qeverisjes Lokale të kontaktojë urgjentisht me katër kryetarët serbë dhe t’i njoftojnë ata me pasojat se ku po shkojnë punët. Dhe, nëse ata katër kryetarë nuk e dëgjojnë mendimin e Ministrisë dhe Qeverisë ‘Haradinaj’ ,vetëm atëherë duhet që të ndërmerren masa ligjore nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe nga Qeveria e Kosovës ndaj katër kryetarëve të këtyre komunave që kanë dhënë dorëheqje”, vlerësoi ai. Edhe qytetari tjetër nga Prishtina, Murat Lepaja, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se me vetë faktin se Qeveria jonë po hesht në këtë situatë, kjo lë të dyshosh e të kuptosh se vetë Qeveria “Haradinaj” po bëhet pjesë e ndarjes së Kosovës që është një ide e presidentit të vendit Hashim Thaçi, që e ka thënë disa herë. “Ndaj, jam i mendimit se Qeveria ‘Haradinaj’ dhe institucionet e tjera, sikurse edhe Kuvendi, ka qenë dashur që të deklarohen të paktën me nga një deklaratë dhe të ndërmarrin diçka duke i shpallur zgjedhjet e reja, sepse katër kryetarët serbë tashmë kanë dhënë dorëheqje dhe të njëjtëve nuk duhet lejuar të kthehen në këto poste”, vlerësoi ai.

(Kosova Sot)