Fundamenti

Heqja e logos e pakuptimtë

/ 3 minuta lexim

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Eqrem Kryeziu ka dal kundër largimit të logos nga fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Ai ka thënë se është pakuptueshme të mos jenë simbolet e shtetit të Kosovës në fletëvotimet e zgjedhjeve të ardhshme ashtu qysh kanë qenë në të gjitha zgjedhjet e kaluara.

Sipas tij, ideja për largimin e logos është e rrezikshme sepse zgjedhjet po mbahen në një shtet real e jo imagjinar.

“Unë besoj se kjo përshpirtja e zyrtarëve që po përflitet se po hiqet logoja nga fletëvotimet nuk është kërkesë reale. Do të ishte një lloj provokimi se nuk mundemi me kriju një far toke imagjinare sikur në “Lizën në botën e çudirave” sepse ka dikun zgjedhje por se nuk po dihet se ku”, ka thënë Kryeziu, për Gazetën Express, të dielën.

Deri më tash, vetëm Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj dhe Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli kanë dal pro heqjes së logos në fletëvotime.

Sidoqoftë, deputeti i LDK’së, Eqrem Kryeziu thotë se Kosova nuk duhet të lëshoj pe në këtë drejtim.

“Nuk ka asgjë më të natyrshme se sa me mbet logoja e shtetit në fletëvotime në atë vend që mbahen zgjedhjet. Me të vërtetë kjo situatë nuk ka lidhje me realizëm. Ndoshta me realizimin magjik po, por ajo në politik nuk shkon. Unë nuk po dua të paragjykoj, por nuk kisha sugjeru me ba kurrfarë kompromisi, po i përdori fjalët më të buta – dhe nuk do të duhej të vihej në rend dite kjo çështje”, ka deklaruar Kryeziu.

Zyrtarët në Beograd kanë thënë se serbët në Kosovë do t’i bojkotojnë zgjedhjet në rast se vendoset që fletëvotimet të kenë logon e shtetit kosovar.

RCCOLA

Megjithëkëtë, Kryeziu thotë se më e logjikshme nga ana e serbëve është që të kërkojnë logon e Serbisë në fletëvotime se sa heqjen e logos së Kosovës.

“Serbia zyrtarisht nuk ka kërkuar, po politikisht po. Por, për mua më e logjikshme do të ishte me thanë “e dua të Serbisë sesa nuk e dua të Kosovës”. Me e logjikshme po më duket kjo se sa me heq logon e Shtetit nga fletëvotimet”, ka thënë ai.

Kryeziu ka dal kundër deklaratave të politikanëve të Kosovës, të cilët kanë thënë se vendimi për logon është në dorën e KQZ’së.

Ai ka thënë se është e pandershme t’i lihet një çështje kaq e madhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Me ia lënë një barrë kaq delikate KQZ’së nuk është e ndershme”, ka thënë Kryeziu, për Express, të dielën.

Ai ka rikujtuar se vetëm vetëm Kryetarja e KQZ’së është anëtare e pavarur, ndërsa anëtarët tjerë janë të partive politike.

“Kjo është njëfarë lloj mistifikimi se KQZ’ja nuk është aq e fortë sa me bartë një barrë kaq të madhe. Me të vërtetë aty ka njerëz impresiv, por kjo është barrë e madhe që ata me vendosë”, ka shtuar ai./express/