ARKATANA

“Heqja e duvakut” dhe përgjegjësia politike

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Shaip Kamberi – Winston Churchill, burrështetasi britanik, më i njohur si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkrimtar, gazetar dhe politikan, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi, me një rast ka deklaruar se “Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër” dhe “aftësia që më pas të shpjegosh pse nuk ndodhi”.

Kjo sentencë e kryeministrit më karizmatik britanik ka të bëjë me përgjegjësinë politike të funksionarëve publikë, respektivisht me përgjegjësinë e tyre për funksionimin e qëllimeve të cilat i kanë promovuar. Përgjegjësia e politikanëve është më e madhe se ajo e qytetarëve të zakonshëm, për arsye se bashkësitë shoqërore funksionojnë në mënyrën që personat e zgjedhur supozohet se kanë autorizimin e përgjithshëm për kryerjen e punëve të besuara.

Me gjasë, thënia e një ndër politikanëve më karizmatikë të periudhës së vet, Churchill, ka të bëjë me proceset gjeopolitike, por ajo që ndodhi ditë më parë në Preshevë me odisejadën e lapidarit të dëshmorëve, dëshmon se ajo është e aplikueshme edhe për çështjet e nivelit lokal.

Për të qenë të sinqertë duhet thënë se sigurisht që asnjë nga aktorët e involvuar në problematikën e lapidarit të dëshmorëve nuk e ka dëshiruar përfundimin që ndodhi të dielën e 20 janarit, që do të thotë se në gjithë këtë problematikë nuk mund të flitet për keqdashje. Por, njerëzit publikë nuk kanë përgjegjësi vetëm për atë që kanë shkaktuar me qëllim. Ata kanë përgjegjësi edhe nëse nuk kanë ndërmarrë diçka që është dashur të ndërmerret, apo siç thuhet në terminologjinë moderne kanë përgjegjësi edhe për keqmenaxhim. Sepse “heqja e duvakut”, respektivisht zbulimi i lapidarit të dëshmorëve, pa u siguruar që ai do të mbetet aty, domosdo duhet të bartë edhe përgjegjësi politike.

Kjo përgjegjësi, me këtë rast bie mbi udhëheqësinë komunale të Preshevës, e cila me tendencën e krijimit të “grupit të unitetit”, përkundër faktit se pati edhe përkrahjen e parezervë të opozitës dhe shoqërisë civile, po tenton t’i bishtnojë përgjegjësisë, apo thënë më butë po tenton që vëmendjen e opinionit ta zhvendosë nga problematika kryesore në një temë e cila gjithmonë e brenë opinionin tonë -unitetin shqiptar.

Përgjegjësia në këtë rast nuk ka të bëjë vetëm me përfundimin turpërues të çështjes së lapidarit, por, salto-mortalet e radhës, dhe akuzat e hapura rreth ndodhive të fundit, që po vijnë nga Prishtina mund ta çojnë komunën e Preshevës edhe drejt izolimit nga Prishtina zyrtare. Ky do të ishte dëmi më i madh politik që mund t’i bëhet jo vetëm kësaj komune, por shqiptarëve të Luginës së Preshevës në përgjithësi.

Është fakt notor se për shkak të mosdurimit personal ndaj ambasadorit shqiptar në Beograd, udhëheqja e Preshevës disi kishte “arritur” t’i shmanget komunikimit me të.

Në opinionin tonë gjithmonë është shtruar nevoja e konsultimeve më të shpeshta të Prishtinës zyrtare me lidershipin shqiptar në Luginë. Konsiderohet se kjo praktikë jo vetëm që do të ndihmojë jetën politike këtu, por inkurajon shpresën për shqiptarët e këtushëm se “ka dikush që përkujdeset për ne”.

Mobi Casa

Por, edhe kur kjo arrihet, dhe vetë kryeministri i Kosovës merr përgjegjësinë personale. Për “Lapidarin” duhet gjetur një zgjidhje politike me faktorin ndërkombëtar”. Lidershipi preshevar i jep vetes të drejtë që këto informacione të vlefshme për zgjidhjen e krizës të mos i transmetojë në Preshevë.

Pas gjithë kësaj janë joserioze edhe deklaratat për iniciativa që ta zgjidhim çështjen e lapidarit me kryetarin e Trupit koordinues. Do të ishte nënçmuese që shqiptarët të krijojnë “grup uniteti” për të biseduar me Zoran Stankoviqin, vetëm për kthimin e lapidarit dhe për vendin “ku do ta rivendosin atë”. Nëse dështimi ka ardhur përkundër faktit se lapidari i dëshmorëve ka qenë në oborrin dhe duart tona, meqë nuk kemi arritur të gjejmë zgjidhje, çfarëdo zgjidhje tjetër që mund të ofrohet në kushtet kur lapidari ndodhet në duart e xhandarmerisë do të jetë zgjidhje me kushtet dhe diktatin e Ivica Daçiqit.

Çfarëdo bisede e filluar me Beogardin nuk mund të fokusohet vetëm për çështjen e lapidarit. Situata aktuale (që përsëri ka risjellë Luginën në retorikën bashkësisë ndërkombëtare, pavarësisht se ajo deklarohet se “kjo është çështje e brendshme e Serbisë”), duhet shfrytëzuar që të niset një dialog më serioz për gjithë problemet e hapura në Luginë.

Të jemi të vetëdijshëm se problemi i shqiptarëve të këtij rajoni tejkalon përmasat e një lapidari. Lapidari ishte vetëm kulminacioni i arritur në procesin e diskriminimit sistematik shtetëror që po e bëjnë në vazhdimësi qeveritë e Beogradit. Problemi ynë është politik dhe ai kërkon zgjidhje me involvim të plotë institucional të faktorit ndërkombëtar, por edhe atij kombëtar. Nuk mjaftojnë vetëm Youtube dhe facebook përkrahjet që vijnë nga dy shtetet amë.

Meqë problemi ynë është kompleks dhe kërkon zgjidhje afatgjate dhe stabilizuese për rajonin, dy shtetet amë duhet të punojnë shumë më tepër me institucionet e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje përmes respektimit të të drejtave tona individuale dhe kolektive sipas standardeve ekzistuese ndërkombëtare dhe atyre që po krijohen në Kosovë. Por zgjidhja e problemeve tona kërkon, në radhë të parë, edhe përgjegjësi dhe përgjegjshmëri për situatën nga spektri politik vendor. Duhet përfunduar periudhën e solo- paraqitjeve të liderëve lokalë për të ardhmen e Luginës së Preshevës, ato jo vetëm që nuk kanë ofruar zgjidhje, por edhe kanë paraqitur shqiptarët si faktor joserioz dhe të paaftë politikisht.

Cilado që të jetë rrjedha e ngjarjeve të ardhshme, çështja e krizës së fundit në Preshevë dëshmon qartë se shqiptarët e Luginës së Preshevës, për të mos ardhur në situatë që “dy këmbët t’i fusin me një këpucë” nuk mund të nisin asnjë iniciativë serioze pa konsultim të plotë me Prishtinën, sepse euforia patriotike pa dashje po na bart në terrenin e përgatitur nga Ivica Daçiqi. Kjo edhe për faktin se aktorët e çështjes së Lapidarit në Preshevë, jo që nuk ishin të aftë për të parashikuar atë që do të ndodhë … muajin tjetër dhe vitin tjetër” , por nuk ditën të parashohin as atë që ndodhi të dielën e 20 janarit.

(Autori është kryetar i Degës së PVD-së në Bujanoc)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.