Hendbollistet e Dritës më të mira se Jusuf Gërvalla e Deqanit
Në javën e dytë në Superligën e Kosovës ne hendboll, hendbollistet e Dritës me plot meritë kanë arritur ta mposhtin skuadrën mike nga Deqani “Jusuf Gërvalla” me rezultat 39-30.
Pas riorganizimit në radhët e Dritës arrijnë edhe rezultatet pozitive, hendbollistet edhe pse për nga mosha mjaft të reja kanë arritur në çdo pikëpamje t`i mundin hendbollistet nga Deqani duke treguar lojë cilësore e vetëmohuese.
Hendbollistet “kaltër e bardhë” të prira nga Flamure Vokshi e Diogjena Rrudhani, qysh në pjesën e parë arritën të krijojnë epërsinë prej 8 gola.
Edhe në pjesën e dytë u tregua hendboll cilësor, dhe vashat e Dritës arritën ta ruajnë epërsinë e krijuar në pjesën e parë.
Ndërsa në fund takimi i sotëm përfundoi me rezultat 39-30.
Pas ndeshjes anëtari i kryesisë së Dritës, Avni Bllaca, i lumtur për këtë fitore ka theksuar.
“Ishte një lojë me plot emocione pasiqë kryetari ynë Muharrem Halimi para sa ditësh në mënyrë të papritur ndërroi jetë, ishte një goditje shumë e rënd si për klubin njashtu edhe për hendbollistet dhe këtë fitore me plot zemër ja dedikojmë ish-kryetarit të klubit Muharrem Halimit, ndërsa fitorja me plot meritë i ka takuar vajzave tona”.
Në javën e tretë, hendbollistet e Dritës udhëtojnë në Gjakovë për tu takuar me Vëllaznimin./rajonipress/


