Fundamenti

Haziri: Zona urbane e Gjilanit po bëhet zonë qarkullimi pa vetura

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur të martën mbledhja e bordit të drejtorëve, ku është diskutuar lidhur me planifikimin e 3-mujorit të ardhshëm dhe për planifikimin në vitin 2020.

“Pjesa më e madhe e investimeve do të vazhdojë në ndërtimin e fshatit model, për përmbylljen e investimeve infrastrukturore.

Ndërsa, zona urbane do të jetë prioritet i lartë i investimeve që përfshihet rregullimi i trotuareve dhe standardizimi për personat me nevoja të veçanta, për biçiklistët dhe për nënat me fëmijë. Qëllimi kryesor është që zonën urbane ta kthejmë në zonë qarkullimi pa vetura. Përfundimi i rregullimit të lumit Mirusha, Tregut të Gjelbër dhe punimet te Stadiumi i Qytetit, janë projekte që eliminojnë nevojën e qarkullimit me vetura”, ka thënë kryetari Haziri.

Duke folur për projektet infrastrukturore, kryetari Haziri tha se shumica e tyre tashmë janë të buxhetuara dhe po punohet me dinamikë të shtuar.

“Ndërtimi i rrugëve regjionale tashmë është i buxhetuar, pritet që Banka Europiane për Zhvillim në fund të këtij muaji të konfirmojë investimet në rrugën Gjilan-Prishtinë me gjatësi prej 7.2 kilometrash. Do të vazhdojmë investimet në rrugën Gjilan-Bujanoc, në Rrugën e Kumanovës, në rrugën prej Livoçit të Ultë në drejtim të Kllokotit dhe rrugët tjera që janë pjesë e investimeve. Kjo na jep lehtësim dhe krijon frymëmarrje që të kalohet në investime brenda zonës urbane”, theksoi Haziri.

Uji Dea

Prioritet kryesor për vitin e ardhshëm, i pari i gjilanasve ka thënë se është ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, i cili tashmë ka marrë rrugë dhe ratifikimi i marrëveshjes pritet të ndodhë në seancat e para të Kuvendit të Republikës.

Gjatë këtij takimi, kryetari Haziri i falënderoj qytetarët për mbështetjen edhe lojalitetin që kanë treguar përmes pagesave të rregullta në tatimin e pronës dhe taksave komunale.

Haziri ka apeluar qytetarët që të vazhdojnë ta kursejnë maksimalisht ujin e pijshëm, në mënyrë që të përballohet më lehtë thatësia, për shkak se Penda e Përlepnicës është në gjendje të rëndë.

Kryetari i Gjilanit tha se prioritet vazhdon të jetë mbështetja për kartelën sociale, përkatësisht në ndërtim të shtëpive të reja, pako për studentët dhe ata të ekselencës, sikurse edhe pako për familjen./rajonipress/