Haziri vizitoi fermerin Ibrahim Selimi, i premton përkrahje maksimale

Gjilan – Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot fermerin Ibrahim Selimin, i cili me forca të veta ka ngritur fermën ne tij me kapacitet prej 50 krerë gjedhesh në fshatin Uglar.
Selimi, i cili aktualisht posedon 24 krerë gjedhesh, kryesisht majmëri, i ka thënë Hazirit se nuk ka përfituar asnjë subvencion as nga qeveria e as nga komuna e Gjilanit.
Kandidati i LDK-së, tha se ky është një shembull shumë i mirë i suksesit për fermerët gjilanas, duke i premtuar mbështetje maksimale institucionale.
“Është shumë e dhimbshme që s’ke pasë asnjë ndihmesë në rritjen e kësaj veprimtarie që është vitale për shoqërinë gjilanase. Unë të premtoj se do të kesh mbështetje maksimale sapo ta marrë detyrën e kryetarit dhe do të kesh subvencione për të pasur më të lehtë në funksionimin e kësaj veprimtarie”, i ka thënë fermerit Ibrahim Selimit, kreu i LDK-së në Gjilan, njëherësh kandidat i kësaj partie për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Bashkëfshatarët e Selimit shprehën shqetësimin për mungesën e infrastrukturës rrugore dhe telashet që po u sjell rrjedhja e vazhdueshme ujërave të zeza të kontaminuara nga deponia e bërllokut.
Kandidati i LDK-së ishte dëshmitar që 13 puset e banorëve të atjeshëm ngjanin në plehrishte pasi që ujërat ishin të ndotura tej mase.
Ai iu premtoi rregullimin e rrugës që e lidh këtë pjesë me pjesën tjetër të Uglarit si dhe marrjen e masave për ta parandaluar rrjedhjen e ujërave të kontaminuara nga deponia që ndodhet në fshatin Velekincë të Gjilanit thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress/