Fidanishtja

Haziri: Viti 2021, me propozim të Handikosit, do të trajtohet si vit i mundësive të barabarta

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Me rastin e 3 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim përfaqësues të organizatave, Fatmir Shurdhani nga Handikos dhe Bajram Spahiu nga Shoqata e të Verbërve, të cilët shoqëroheshin nga Avdil Ibishi e Naxhie Salihu.

Pasi ka uruar Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, kryetari Haziri ka thënë se kemi koordinim të mirë me organizatat në fjalë, duke shtuar se janë subvencionuar me të gjitha kapacitetet komunale.

Ai tha se viti 2021, me propozim të Handikosit, do të trajtohet si vit i mundësive të barabarta, duke shtuar se “Parku Baja” do të ndërtohet dhe emërtohet për këtë komunitet, në mënyrë që të sensibilizohen institucionet për një politikë të drejtë.

“Programi për qasje dhe mundësi të barabarta është në implementim e sipër në Gjilan. Unë e pranoj që shoqëria jonë ka bërë pak për këtë kategori, duke besuar që Zoti na ka falur të barabartë dhe mungesa e një gjymtyre zëvendësohet natyrshëm për t’u bërë të barabartë në jetë”, ka thënë Haziri.

KKGJILAN

“Kemi bërë përpjekje për t’iu krijuar qasje këtyre personave dhe besoj që ky është viti i fundit që mundësia e barabartë të zbatohet. Zbatimi i ligjit për punësim dhe trajtim për komunitetin është njëra prej detyrave që ne tash e tutje do të koordinohemi bashkë me këto organizata. Urime 3 dhjetori, festofshim bashkë në kushte më të mira”, ka shtuar Haziri.

Menaxheri i Handikos, Fatmir Shurdhani, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e ofruar në vazhdimësi.

“Diskutuam rreth gjendjes së personave me aftësi të kufizuara dhe problemet që ballafaqohen. Gjatë bashkëbisedimit, morëm zotimin nga kryetari Haziri që viti 2021 të jetë vit i personave me aftësi të kufizuara, në kuadër të programit për mundësi të barabartë, që nënkupton që këta persona janë pjesë e shoqërisë dhe me me gjitha mundësitë nuk do të lihen anash këta persona, si në arsim, punësim dhe jetë të përgjithshme”, ka thënë Shurdhani.

Në takim ka folur edhe kryetari i Shoqatës së të verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e ofruar deri tani për këtë kategori./rajonipress/