Haziri uron të gjithë qytetarët me rastin e 7 – vjetorit të pavarësisë
Gjilan – Me rastin e shënimit të 7-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në emër të të gjitha institucioneve lokale, ka uruar qytetarët e Gjilanit, duke potencuar kontributin e madh që ka dhënë Gjilani ndër – vite deri në pavarësinë e plotë të vendit.
“Në emër të të gjitha institucioneve lokale, i uroj qytetarët e Gjilanit në 7 – vjetorin e pavarësisë kudo që ata janë në Kosovë dhe diasporë. Pavarësia e Kosovës është kurorë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe dinjitet njerëzor. Shpallja e Pavarësisë ishte akt historik, por të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë i rezistencës dhe luftës çlirimtare, i mbuluar me lavdi, me gjak e sakrifica të panumërta. Pavarësia e Kosovës asnjëherë nuk mund të përkujtohet pa Presidentin Historik Ibrahim Rugova dhe pa Komandantin Legjendar Adem Jashari, pa sakrificën e madhe të popullit shqiptarë në përgjithësi, pa masakrën e Gjilanit ku këtë vit kishim 70 – vjetorin, pa diasporën shumë të madhe të Gjilanit në mërgim, e që sjellë bashkë me dhembjen, krenarinë, dashurinë, vullnetin dhe synimin për të ardhme më të mirë për gjeneratat që do të vijnë pas nesh”, tha ndër të tjerash në urimin e tij kryetari Haziri.
Urime të gjithë gjilanasve kjo ditë feste, të festojmë për punë të mira dhe të vlefshme gjatë këtij viti./rajonipress/


