Hidromorava

Haziri shpalli të hapur aktivitetin në basketboll me karroca dhe pikado

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Janë mbajtur sot aktivitetet në basketboll me karroca dhe në pikado, në Palestrën e Sportit “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan, në të cilin morën pjesë sportistë nga Komuna e Gjilanit, Ferizajt, Vitisë dhe Kaqanikut.

Këto aktivitete u realizuan në kuadër të projektit “Integrimi i të rinjve me nevoja të veçanta në shoqëri”, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Pjesëmarrës në kuadër të këtij aktiviteti ishin 50 të rinj dhe të reja me aftësi të kufizuara, ndërsa garën e ka shpallur të hapur kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Mobi Casa

“Sot është një ditë e veçantë për Gjilanin. Prezenca e juaj nga të gjitha regjionet e bënë këtë ditë të veçantë dhe tregon se çdo qytetar është i barabartë në këtë vend. Gjilani është shtëpia juaj. E falënderoj shumë Komitetin Para Olimpik për këtë garë dhe Ambasadën Amerikane që e ka mundësuar. Me të gjithë mekanizmat tanë Komuna e Gjilanit do t’i përkrah të gjitha garat. Ju uroj suksese”, tha kryetari Haziri, në fjalën e rastit.

Federata e Basketbollit e Kosovës përkrahi aktivitetin me dy referë si dhe prezent në aktivitet ishte edhe Kryetari i Klubit të Basketbollit “Drita” nga Gjilani, Fazli Fazliu.
“Falënderojmë poashtu Kryetarin e Komunës së Gjilanit zotin Lutfi Hazirin, për prezencën dhe përkrahjen e këtij aktiviteti me hapësirë, duke na inkurajuar që të vazhdojmë edhe në të ardhmen të realizojmë aktivitete të tilla në shërbim të të rinjve me nevoja të veçanta. Shpresojmë që si komitet të marrim mbështetje edhe në të ardhmen me realizimin e aktiviteteve të tilla në kuadër të përmirësimit të pozitës së personave me aftësi të kufizuara. Poashtu ritheksojmë edhe njëherë gatishmërinë tonë që përveç implementimit të këtij projekti të vazhdojmë edhe me iniciativa tjera”, është shprehur presidentja e Komitetit ParaOlimpik të Kosovës, Njomza Emini.

Për vendet e para u ndanë kupa dhe medalje nga ana e Komitetit ParaOlimpik i Kosovës./rajonipress/