Eko Higjiena

Haziri “pushton” lagjen “Arbëria” të harruar nga pushteti

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Pasi ka dëgjuar hallet e banorëve të kësaj ane, kreu i LDK-së në Gjilan, deputeti Lutfi Haziri, ka thënë se arsyeja pse është kthyer nga Prishtina për t’u bërë kryetar, është për ta ndaluar këtë të keqe të madhe që ka bërë pushteti në largim.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot, të ashtuquajturën lagjen e re “Te vishnjet”, që është pjesë e lagjes “Arbëria” të Gjilanit, ku ka parë për së afërmi kushtet çnjerëzore që po përballen banorët kësaj pjese të qytetit.

Përveç që nuk u ka krijuar kushtet elementare për jetë, pushteti në largim i Qemajl Mustafës, u ka vënë edhe emër poshtërues kësaj lagje duke e quajtur “Kandahar”, si sinonim i së keqes.

Përfaqësuesi i lagjes, Demush Vokshi, së bashku me afro 50 banorë të kësaj ane, e ka informuar në detale kryetarin Haziri për gjendjen e rëndë infrastrukturore të kësaj lagje. Ai tha se për dy mandate të pushtetit në ikje, ka pasur premtime të mëdha, por nuk është investuar asgjë.

Vokshi deri dje ka qenë pjesë e strukturave të PDK-së, por sot së bashku me gjithë banorët e lagjes, që përbënë 286 shtëpi banimi, deklaroi se i bashkëngjitet Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke besuar në vizionin e kandidatit për kryetar, Lutfi Haziri.

Uji Dea

“Na kena vendos komplet kjo lagje me 286 shtëpi me e votua Lutën dhe me i dhanë fund kësaj poshtërsie që ka ba Qemajl Mustafa. Gjashtë vjet na kanë rrejt, e nëse rrejnë 6 vjet, kanë me rrejt tanë jetën. Neve na mungon asfalti, na mungon ujësjellësi, na mungon kanalizimi. Këtu kurgja nuk asht ba. Krejt çka kanë ba, për çdo vjet na e kanë marrë tatimin qoftë në pronë, qoftë për regjistrimin e veturave”, ka thënë Vokshi.

“Na shpresat i kemi tek t`i zotëri kryetar”, ka shtuar Vokshi.

Pasi ka dëgjuar hallet e banorëve të kësaj ane, kreu i LDK-së në Gjilan, deputeti Lutfi Haziri, ka thënë se arsyeja pse është kthyer nga Prishtina për t’u bërë kryetar, është për ta ndaluar këtë të keqe të madhe që ka bërë pushteti në largim.

“Jam i shqetësuar shumë me këtë çka pashë këtu. Sot me fol për ujë, për kanalizim e për asfalt është marre. Por, po ju lus që të duroni deri më 3 nëntor, se të gjitha këto probleme do t’ua zgjidhim. Ju meritoni të jetoni dinjitetshëm. Edhe ky vend është Kosovë, edhe këtu është Gjilan e jo Kandahar siç iu ka nënçmuar pushteti. Prioriteti i qeverisjes sime është kjo lagje”, ka thënë, ndër të tjera, Haziri thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress/