RCCOLA

Haziri: Programi i LDK-së për kulturën është “program i ardhmërisë”

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Debatin e fundit të fushatës maratonike elektorale, kandidati LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka zhvilluar sot me njerëzit e kulturës, para të cilëve e prezantoi programin e LDK-së për këtë sektor të rëndësishëm të shoqërisë.

Kryetari Haziri është shprehur se në mandatin e tij do të ndahet kultura prej sportit dhe rinisë, për ta pasur buxhetin e garantuar secili sektor në vete. Ai tha LDK ka programin më të mirë, duke e cilësuar si “program të ardhmërisë”.

“Ne kemi arritur t’i identifikojmë nevojat e kulturës dhe kemi parë që kultura është në gjendje të rëndë. Teatrit duhet t’i garantohet statusi i teatrit profesionist, me këtë garantohet buxheti i teatrit, garantohet ansambli. Me këtë dëshirojmë që edhe statusi edhe prona duhet të lirohet nga ngarkesat qofshin administrative, apo të tjera. Buxhetimi i teatrit do të realizohet në parimin e buxhetimit të rregullt. Kultura nuk mund të jetë e lidhur me asnjë sektor tjetër, në mënyrë që ta ketë vijën e vet të buxhetimit. Kalendari buxhetor do të bëhet me njerëzit e kulturës. Kalendari ka me qenë i buxhetuar dhe i kontrolluar nga vetë njerëzit e kulturës”.

Haziri ka premtuar se zyrën e kryetarit të komunës do t’ia jap muzeut të Gjilanit.
“Ne do ta zbatojmë vendimin e vitit 2005 që zyra e kryetari t’i jepet muzeut të Gjilanit. Trashëgimia kulturore e ka programin e specifikuar, do të bëhet galeria e arteve moderne, duhet të hapet drejtimi i artit të dramës. Ne mendojmë që në këtë mënyrë e rigjallërojmë kulturën”, ka thënë Haziri.

Mobi Casa

Për ta begatuar debatin edhe më shumë, u përkujdesën njerëzit e artit që ishin të pranishëm, të cilët patën shumë pyetje, sugjerime e rekomandime e lëvdata për kryetarin Haziri. Shkrimtari Sabit Rrustemi është shprehur i lumtur me faktin se në mandatin e zotit Haziri kultura do të ndahet nga sporti e rinia.
“Ajo që më gëzon nga ajo që e dëgjuam është fakti se tash e tutje drejtoria e kulturës do të jetë vetëm drejtoria e kulturës sepse qe 14 vite kultura ka mbetur gjithmonë e përzier me rininë dhe sportin. Nuk e ka gëzuar tretmanin që do të duhej ta kishte. Kjo do ta sforconte edhe pozitën tuaj edhe si parti edhe si program. Gjilani realisht nuk ka bibliotekë të qytetit, kjo është biblioteka ndërkomunale me seli në Gjilan, po s’është bibliotekë e qytetit. Biblioteka është në ndërtim dhe ajo i duhet Gjilanit dhe kjo duhet të finalizohet nga ju. Duhet të ketë emërtim të ri. Ne mund ta ruajmë bibliotekën ekzistuese, por ta bëjmë objektin e ri që ta kemi atë bibliotekë në qytet që do të shndërrohej në qendër të madhe të kulturës. Te pjesët letrare duhet të vihet një rend meqë ka pasur deri tash financiare ad hoc, duhet të ndahet buxhet edhe për këtë çështje”, ka thënë shkrimtari Sabit Rrustemi.

“Kultura në Gjilan është bërë si ujku, pa shtëpi”

Ndërsa profesori i muzikës, Izet Kallaba, ka thënë se i beson vizionit të kandidatit të LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Hazirit, duke pohuar se është njëri nga politikanët e rrallë që e ka përcjellur kulturën.
“Unë e kam bindjen e përgjithshme që në kulturë po luhet shumë. Por, unë i besoj më shumë Hazirit, sepse është njeriu që e ka përcjellur më shumë kulturën. Kultura pa kalendar, pa përgatitje e pa ekip të mirë, nuk mund të zhvillohet. Duhet të vihen njerëzit e duhur në kulturë. Kultura në Gjilan është bërë si ujku, nuk ka shtëpi të vetën. Shkolla e muzikës e ka një shtëpi shumë të thjeshtë. Kjo nuk guxon me ndodhë. Duhet të bëhet një shkollë e duhur për të pasur vend edhe për aktivitetet tjera”, tha profesor Kallaba thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress/