Haziri: Po garoj kundrejt Hashim Thaçit

Lutfi Haziri është i bindur që më 1 dhjetor do të rikonfirmohet si kandidati më i votuar për kryetar të Gjilanit dhe pas dhjetë viteve sërish do të rikthehet për ta udhëhequr këtë qytet.
Në një intervistë për Tribunën, Lutfi Haziri ka folur për garën e ashpër në Gjilan ku, siç ka thënë ai, garën e ka zhvilluar ndaj kryeministrit Hashim Thaçi që qëndroi tërë kohën në Gjilan e jo ndaj Qemajl Mustafës.
Edhe sa i përket çështjes së shamisë Haziri nuk ka ndryshuar fare qëndrim.
“Tash, kundërkandidat a është Hashim Thaçi apo dikush tjetër, sepse unë kam garuar me Hashim Thaçin dhe kabinetin e tij. Ai për 30 ditë ka qenë në Gjilan rreth 23 herë, ose për nëntë ditët e fundit ka qenë shtatë herë në Gjilan. Edhe në ditën e votimeve ka qenë’, ka thënë Haziri.
Duke folur për shaminë Lutfi Haziri ka thënë se nuk e ndryshon qëndrimin e tij.
“Natyrisht që Kushtetuta duhet të interpretohet. Për mua është krejt në rregull. Kushtetuta thotë se nuk ka diskriminim, ka barazi në të drejta etnike, fetare. Ka obligim që çdo fëmijë të shkojë në shkollë. Pra, Kushtetuta e ka thënë të vetën. Kushtetuta nuk të tregon se a m’u veshë me xhinse, a m’u veshë me uniformë të kaltër”, ka thënë Haziri.