Haziri përgëzon “NewCo Integj” për suksesin në eksport

Gjilan – Vazhdojnë vizitat për përkrahjen e bizneseve vendore të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Kësaj radhe Haziri ka vizituar fabrikën e tepihëve dhe tjerrit “NewCo Integj”, për të cilën tha se është shembull i privatizimit të suksesshëm.
“I dhashë mbështetje të plotë pronarit të “NewCo Integj”, Ibrahim Krivaqa. Kjo kompani është shembull i një privatizimi të suksesshëm. Kjo është një ndërmarrje e madhe, e cila së bashku me “Ask Foods” kanë treguar sukses të madh në eksport”, ka thënë Haziri, duke përmendur programin e LDK-së për ekonomi si më të mirin që ka pasur ndonjëherë Gjilani.
“Ne kemi programin më të mirë ekonomik. Synimi ynë është që të përkrahim fuqishëm të gjitha ndërmarrjet dhe bizneset gjilanase. Sepse në këtë mënyrë e ndihmojmë Gjilanin, duke e zbutur papunësinë. Unë nuk jam ai person që sjell kompani të huaj me të njëjtin profilizim, duke e ngulfatur një biznes gjilanas që është funksional, që është duke u rritur. Programi ynë është që t’ua lehtësojmë punën bizneseve gjilanase, t’i heqim ngarkesat për biznese”, ka shtuar Haziri.
Nga ana tjetër, pronari i ndërmarrjes “NewCo Integj”, Ibrahim Krivaqa, ka falënderuar z. Haziri për vizitën dhe përkrahjen që i ofroi. Ai u ankua për tatimin e lartë në pronë që i është i papërballueshëm për funksionimin e kësaj ndërmarrje, për problemet në licensa si dhe për problemet që i janë shkaktuar për leje ndërtimi, për çka edhe mori zotimin e kandidatit të LDK-së për t’ia hequr këto pengesa.
Ibrahim Krivaqa njihet si njëri ndër donatorët më të mëdhenj të sportit gjilanas. Aktualisht, fabrika e tepihëve dhe tjerrit “NewCo Integj”, ka të punësuar 110 punëtorë dhe me suksesin e treguar deri më tash synon ta dyfishojë këtë numër. U tha se hapja e degës së tekstilit është shumë e nevojshme për Gjilanin për të pasur një profilizim të duhur./rajonipress/