Haziri: Për herë të parë po kërcënohet paqja sociale në Kosovë – Qeveria Kurti po punon sot për nesër

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, e ka fajësuar Qeverinë Kurti për problemet me të cilat po përballen qytetarët – reduktimet e energjisë elektrike, rritjen e çmimeve dhe grevat e punonjësve publikë.

Haziri gjatë një interviste në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se në Kosovë po kërcënohet paqja sociale dhe kjo sipas tij po ndodh për herë të parë.

“Për herë të parë po kërcënohet paqja sociale në Kosovë, pasi ka krizë energjetike, sociale dhe ekonomike. Qeveria nuk e ka ndërmarrë asnjë masë”, është shprehur Haziri.

“Paralajmërimi për riformatim të Qeverisë është i vonshëm. Kryeministri po tregohet i vonshëm me çdo punë. Është dashur ta menaxhojë këtë krizë në të cilën po hyjmë”.

Lutfi Haziri gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com

Sipas tij, kjo qeveri ka mungesë të programit të punës dhe prioriteteve.

“Në proceset e brendshme po punon sot për nesër. Ndërsa, në procese të mëdha si dialogu, e ka parimin e një hap para e dy mbrapa”, ka deklaruar nënkryetari i LDK-së.

Tutje, ka thënë se ballafaqimi me të vërtetën, krizat dhe proceset e vështira ekzekutivin po e nxjerrin në pozitë defantiste edhe karshi partnerëve.

“Përballja me e vështirë është me vetveten, pra me të kaluarën edhe të tashmen e kryeministrit Kurtit. Mungon dialogu social. Problemi i energjisë është mosveprim, injorim dhe neglizhim nga ana e qeverisë”, është shprehur mes tjerash Haziri.

“Për energjinë prej vitit të kaluar ne kemi propozuar planin 10 pikësh. Kemi thënë se Qeveria duhet të fillojë përmes mekanizmave të vet menaxhimin e problemit të rrymës në shkurti dhe deri në gusht përfundon procesi i stabilizimit me energji”.

Në këtë intervistë Haziri ka folur edhe për takimin e djeshëm me kryeministrin Albin Kurti, i cili ftoi liderët opozitarë për t’i informuar lidhur me dialogun me Serbinë.

Haziri e quajti të vonshëm këtë takim, ndërsa akuzoi Qeverinë Kurti se po i fsheh dështimet e saj në politikën e brendshme prapa negociatave me Serbinë. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS