Haziri: Për gjashtë muaj kemi treguar vetëm përkushtim dhe përgjegjësi në punë

Gjilan – Lutfi Haziri në një takim me mediet që pati sot pasdite ka folur në superlativ për punën e mirë që ka bërë në këta gjashtë muaj të qeverisjes, por edhe për sfidat që ka pasur gjatë kësaj periudhe. Haziri tha se borxhet e trashëguara kanë qenë pengesë serioze edhe pse ka arritur që të identifikojë shumicën e tyre për t`i dërguar në Gjykatë. Haziri ka paralajmëruar borxhlinjtë e mëdhenj të komunës ndaj të cilëve tha se nuk do të ketë tolerime. Haziri nga e hëna tha se do të dal në një zyre mobile pasiqë objekti i tanishëm do të shfrytëzohet për nevojat e muzeut, premtim ky që Haziri e kishte dhënë gjatë fushatës.
Lutfi Haziri ka folur me mburrje për periudhën e tij gjashtë mujore të qeverisjes duke përmendur rezultatet, projektet e nisura, borxhet e identifikuara, ngritjen e disiplinës dhe përgjegjësisë si dhe funksionimin e administratës komunale raporton rajonipress.
“Për gjashtë muaj të qeverisjes kemi treguar vetëm përkushtim dhe përgjegjësi në punë. Pavarësisht pengesave që kishim ne kemi arritur që të realizojmë synimet tona dhe të jemi në shërbim të qytetarëve për të ofruar shërbime cilësore e punë efektive” tha Haziri.
Haziri tha se tani në fazën e dytë të qeverisjes do të nisë me inkasimin e borxhlinjve të mëdhenj sepse rreth 9 milion euro konsiderohet borxhi që kanë agjencitë e ndryshme, kompanitë publike dhe bizneset private ndaj komunës e që përfshihen taksat komunale dhe taksat e pronës.
Haziri tha se ndaj këtyre borxhlinjve nuk do të ketë pardon sepse ne vetëm kështu mund ta kthejmë imazhin e mirë që ka komuna e Gjilanit.
Haziri tha se është i lumtur që në këtë gjashtë mujor të qeverisjes ka realizuar dhe arritur partneritete të dobishme për Gjilanin me Bashkimin Evropian, GIZ-in gjerman, qeverinë e Zvicrës dhe USAID-in. “Me të gjithë këta partner kemi punuar ngushtë dhe kemi arritur tashmë edhe marrëveshje për investime në projekte të dobishme.
Haziri tha se edhe me digasterët e Qeverisë ka pasur thithje të donacioneve. Ndërkaq Haziri duke folur rreth funksionimit të qeveris komunale me partnerët si PD, Lëvizja Republikane e Vatra tha se ky koalicion po funksionon mirë dhe do të vazhdohet me këto kondita.”Do të punojmë edhe në riformatimin e qeverisjes, por nuk do të ketë ndryshime në kuadro apo strukturë” tha Haziri.
Ndryshe Haziri tha se nga sot do të jetë dita e fundit kur ai do të qëndrojë si kryetar komune në objektin e tanishëm pasiqë nga e hëna e tërë zyra e tij dhe personeli do të vendosen në ish objektin e Gjykatës për ta lëshuar për nevojat e muzeut e që ishte një premtim elektoral i Hazirit.
Haziri ndërkaq në fund tha se kanë arritur të identifikojnë të gjitha borxhet nga ish pushteti dhe deri tani janë proceduar 11 lëndë serioze. “Ne nuk do të paguajmë fatura për dreka, darka, naftë pa kontrollë, bileta udhëtimi. Janë rreth 820 mijë euro borxhe që nuk kanë mbulesë. Për këta 6 muajt e parë jemi treguar të përgjegjshëm në shpenzime dhe kështu do të vazhdohet edhe më tutje “ tha Haziri./rajonipress/