Haziri ngushëllon familjen Jashari me rastin e vdekjes së hoxhës së njohur të Zhegrës, Rifat Jashari

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Jashari, pas vdekjes së hoxhës së njohur të Zhegrës, Rifat Jashari.
Në telegram thuhet: E nderuara familja Jashari,
Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta me rastin e largimit nga kjo botë të hoxhës dhe atdhetarit të njohur të Gjilanit, Rifat Jashari.
Hoxhën e nderuar e kam njohur personalisht dhe ruaj kujtime të jashtëzakonshme për këtë njeri të mirë. Ai, gjatë tërë jetës së tij punoi për Fe e Atdhe dhe do të mbahet në mend për sa të jetë jeta si njeriu që e nxiti shkollimin e femrave në një kohë të pakohë.
Vdekja e mulla Rifatit ka lënë boshllëk të madh tek xhemati i tij, brezi i hoxhallarëve, por natyrisht, boshllëku më madh është për familjen dhe farefisin.
Ngushëllime familjes, Bashkësisë Islame dhe kolegëve. Zoti e shpërbleftë!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Haziri, dërguar familjes Jashari./rajonipress/