Haziri: Në vitin 2019 të gjithë nxënësit e Gjilanit do të veshin uniformë unike, duke krijuar disiplinë dhe barazi

Gjilan – Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, në Gjilan është mbajtur sot takimi i kryetarit Haziri me drejtorët e shkollave fillore, të mesme dhe ata të institucioneve parashkollore, me qëllim të bashkëbisedimit për gjendjen në përgjithësi të arsimit në këtë komunë.

Kryetari Haziri ka ritheksuar faktin se sektori i arsimit vazhdon të mbetet prioriteti i parë i qeverisjes, gjithnjë për ta avancuar procesin edukativo-arsimor.

“Takimi i sotëm me ju, menaxherët e shkollave, është jashtëzakonisht i nevojshëm për të paraqitur nevojat dhe kërkesat tuaja për ta rritur performancën e mësimdhënësve, e në të njëjtën kohë, dalin kuadro më cilësore. Në vitin 2019 besoj shumë që nxënësit e të gjitha shkollave të Gjilanit do kenë uniformë unike. Me këtë krijohet disiplinë dhe barazi sociale”, ka thënë Haziri.

Haziri e ka vlerësuar lartë punën e menaxherëve të shkollave për vitin shkollor që shkoi, ndërkaq ka paralajmëruar investime në të gjitha shkollat në aspektin e krijimit të hapësirave gjelbëruese e në aspekte tjera, me theks të veçantë në Bresalc, Kishnapole e Gadish.

Haziri ka theksuar sfidën e madhe që ballafaqohet Gjilani, për faktin se mbi 3 milionë euro duhet orientuar në arsim për t’i mbuluar zbraztësirat, e që i bie se 60 për qind e të hyrave komunale shkojnë për këtë sektor.

Ndërkaq, drejtori i DKA-së, Nazim Gagica, pasi ka paraqitur një elaborat për gjendjen në arsim, ka thënë se me vetë faktin se Gjilani ka rritje në testin e arritshmërisë për 2 për qind dhe atë të maturës me 4.5 për qind, tregon se është rritur cilësia.

Ndër sfidat që janë paraqitur në këtë takim është gjendja demografike e rënies së numrit të nxënësve, e cila reflekton me në zvogëlimin e normave për mësimdhënësit, hartimi i projektit ideor, analiza dhe parapërgatitjet për shkollat për mësim tërë ditor etj./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).