Haziri: Ne shpresojmë shumë që lakorja e pandemisë do të fillojë të bjerë gjatë katër ditëve të ardhshme

Gjilan – Haziri tha se funksionaliteti i Kuvendit Komunal në këtë fazë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj do të ndërtohet një komunikim online edhe për Kuvendin, por dihet se vendimi i qeverisë ka limituar vendimmarrjen në shumë sfera të qeverisjes lokale dhe ne kemi të drejtë të sjellim vendime vetëm për situatën e pandemisë dhe jo për çështje tjera.

Kuvendi Komunal i Gjilanit është mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, për t`u njoftuar mbi gjendjen e pandemisë si dhe ka miratuar vendimin për rritjen e buxhetit nga tejkalimi i realizimit të të hyrave të planifikuara nga viti 2019 dhe bartjen e tyre në vitin fiskal 2020 si dhe vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara të viteve paraprake, në vitin 2020.

Këto mjete në shumë prej 114.625 euro do të shfrytëzohen për menaxhimin e emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, me kërkesën e të cilit është ftuar kjo seancë e jashtëzakonshme, tha se duke pasur parasysh ligjet në fuqi dhe strategjinë komunale, të miratuar në vitin 2015, më 13 mars komuna e Gjilanit ka aktivizuar planin kontingjent për menaxhimin e situatës së pandemisë, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.

Kjo është shkalla e parë emergjencave në Gjilan, ku aktivizimi i mekanizmave komunalë dhe puna e tyre ka bërë që të parandalohet përhapja e pandemisë Covid 19 përkundër 15 rasteve të konfirmuara nga IKSHP, prej të cilave 14 raste janë në Vrapçiq, ku burim i infeksionit ka qenë një grua e ardhur prej Gjermanisë në familjen e prindërve të saj, ndërsa në një rast tjetër në Zhegër, një i ri ka pasur kontakt me një të ardhur po ashtu nga Gjermania.

Nga këto 15 raste, 3 janë shëruar plotësisht, një tjetër ka dalë negativ në fazën e parë, ndërsa sot i bëhet testi i tretë.

Anëtarët tjerë të familjes Shaqiri dhe Ismajli do t`i nënshtrohen gjatë kësaj jave testit të tretë, për të vërtetuar gjendjen e tyre shëndetësore, përkundër që nuk kanë shfaqur simptoma të sëmundjes gjatë kësaj kohe.

“Ne shpresojmë shumë që lakorja e prekjes së kësaj pandemie, në Gjilan do të fillojë të bie gjatë katër ditëve të ardhshme”, ka thënë Haziri.

Haziri e njoftoi Kuvendin edhe me punën që është bërë gjatë këtyre ditëve në organizimin, grumbullimin dhe shpërndarjen e pakove ushqimore, higjienike dhe spitalore për mbi 1300 familje.

Po ashtu, tha ai, është bërë organizimi i punës online për shërbyes civilë dhe shkolla, ku është rekomanduar të përfshihen edhe shkollat në gjuhën serbe.

“Deri tani kemi arrit me lokalizua dhe menaxhua mjaft mirë situatën me Covid 19”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri tha se funksionaliteti i Kuvendit Komunal në këtë fazë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj do të ndërtohet një komunikim online edhe për Kuvendin, por dihet se vendimi i qeverisë ka limituar vendimmarrjen në shumë sfera të qeverisjes lokale dhe ne kemi të drejtë të sjellim vendime vetëm për situatën e pandemisë dhe jo për çështje tjera.

Haziri dha sqarime edhe për të drejtën e Kuvendit për alokimin e mjeteve nga buxheti prej 5 për qind, në mënyrë që të përballohet edhe financiarisht gjendja e pandmeisë në komunën e Gjilanit, përveç pjesëmarrjes në fondin prej 10 milionë që ka ndarë qeveria e Kosovës.

Programet tjera që parashihen me buxhetin e vitit 2020, janë suspenduar dhe deri në një vendim të ardhshëm të qeverisë, ne do të trajtojmë vetëm çështjet e emergjencave që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik dhe asgjë tjetër, ka thënë Haziri.

“Natyrisht që po përgatitemi për pakon e dytë të mbështetjes së familjeve në nevojë dhe do të asistojmë me ushqim të gjithë fermerët dhe ata që kanë nevojë të domosdoshme, për të ruajtur mirëqenien e tyre në familje dhe ekonomi familjare, sepse nuk guxojmë të lejojmë të rrezikohet familja si qelizë të shtetit”, ka thënë Haziri.

Seanca, për shkak të gjendjes pandemike dhe në përputhje me masat për distancë sociale, është mbajtur në ambientet e gjimnazit natyror.

Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini tha se shpresojmë që ta tejkalojmë këtë situatë sa më lehtë e sa më shpejt./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).