Haziri: Në BE mundemi para 2020 -së

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane, Lutfi Haziri thotë se Kosovës nuk i duhen shtatë vite për t’u anëtarësuar në BE. Ndonëse një periudhë e tillë përmendet në strategjinë kombëtare “Kosova 2020:Një qasje gjithëpërfshirëse”. Sipas tij anëtarësimi mund të ndodh edhe shumë më herët, por vetëm në rast se institucionet shtetërore tregojnë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reformave të kërkuara.
Kosovës nuk i duhen edhe shtatë që të anëtarësohet në Bashkim Europian.
Sipas Kryetarit të Komisionit parlamentar për Integrime Europiane, Lutfi Haziri anëtarësimi mund të ndodh edhe shumë më herët. Por, gjithçka sipas tij se varet prej rezultateve konkrete që japin organet shtetërore në reformat e kërkuara e sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Këtë mendim ai e ndanë përkundër asaj se strategjia kombëtare “Kosova 2020: Një qasje gjithëpërfshirëse”, e përmend vitin 2020 si periudhë më të përshtatshme për anëtarësimin e shtetit në familjen europiane.
“Raporti si i tillë është quajtur Kosova 2020 sepse është periudhë deri në të cilën Kosova duhet me ndërmarrë veprime konkrete, reforma konkrete dhe luftë konkrete ndaj korrupsioni, krimit dhe dukurive negative”, tha Haziri.
“Nuk do të thotë që duhen shtatë vite për të arritur këtë. Anëtarësimi mundet me ndodh edhe më herët por gjithçka varet prej punës së institucioneve të cilat kanë përsipër implementimin në praktikë të të gjitha reformave përfshirë ekzekutivin, presidencën, institucioneve shtetërore pra por edhe shoqërisë civile dhe vetë qytetarëve”, shtoi ai për Express.
Pavarësisht kësaj Haziri raportin, të cilin ai së bashku me Ministren për Integrime Vlora Çitaku e dorëzoi tek Presidentja Atifete Jahjaga, e quajti real në raport me Kosovën.
“Praktikisht raporti është një kornizë i cili vetëm ka vendosur prioritetet për të përgatitur Kosovën për anëtarësim. Mendoj se është raport shumë real dhe është punuar në parimin e gjithëpërfshirjes duke u nisur nga përfshirja e shoqërisë civile, përfaqësimeve akademike dhe institucionale por edhe vetë qytetarëve”, tha Haziri.
Në bazë të strategjisë kombëtare për integrime europiane, që jep vitin 2020 si periudhën më të favorshme për anëtarësim të Kosovës në BE, ndër pengesat më të mëdha të natyrës politike në këtë synim shtetëror përmendet mosnjohja e shtetit nga pesë anëtarë të Unionit: Spanja, Sllovakia Rumania, Greqia dhe Qipro.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni, luftimi i së cilit është kërkesë permanente e organeve europiane për Kosovën, është pengesë tjetër.
Ndryshe, BE’ja pritet të marrë një vendim deri më 28 qershor për ti hapur rrugë ose jo Kosovës drejt Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.(express)