Haziri ndihet krenar me rikthimin e “Dritës” dhe “Gjilanit” në Superligë
Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar sonte një telegram urimi dy klubeve të futbollit gjilanas, KF “Drita” dhe KF “Gjilani”, me rastin e fitoreve të sotme dhe rikthimit në Superligën e Kosovës.
Në telegram thuhet: “Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar me fitoret e dy klubeve gjilanase të futbollit, KF “Drita” dhe KF “Gjilani”, që iu mundësoi të dyjave rikthimin në Superligën e Kosovës. Më lejoni që në emër të qytetarëve të Komunës së Gjilanit të uroj udhëheqësinë e dy klubeve dhe lojtarët për këtë sukses të madh dhe t’i përgëzoj për angazhim të jashtëzakonshëm për të arritur këtë objektiv.
Me “Dritën” dhe “Gjilanin” të gjithë jemi krenarë. Ju me sukseset dhe performancat tuaja, e keni bërë Gjilanin që të identifikohet si Qytet i Futbollit.
Zotohem se të dy klubet do ta kenë kujdesin maksimal të Komunës së Gjilanit me të gjitha kapacitetet tona drejt sukseseve të reja.
Urime dhe shumë suksese në Superligë. Ju priftë e mbara”, thuhet në mesazhin e urimit të kryetarit Haziri./rajonipress/


