Haziri nderoi me mirënjohje mësuesin Hetem Arifi për kontributin e jashtëzakonshëm në shumë fusha

Gjilan – Pikërisht më 7 Mars, në Ditën e Mësuesit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nderuar me mirënjohje veteranin e arsimit, poetin dhe publicistin Hetem Arifi, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, përfshirë edukimin e shumë brezave, kontributin në manifestimin “Flaka e Janarit” gjatë viteve të rënda për shqiptarët, sikurse edhe për lëminë letërsisë dhe kulturës.
Haziri tha me këtë rast se Hetem Arifi është mësues shembull për të gjithë në se si duhet të punohet për të mirën e atdheut.
“Arsimtar, kjo mirënjohje është me pakta që mund të bëjmë ne, karshi kontributit tuaj të jashtëzakonshëm në arsim, publicistikë e letërsi, sikurse edhe në manifestimin “Flaka e Janarit” në një kohë të pakohë. Vepra juaj në shërbim të atdheut neve na bënë krenar. Ju uroj shëndet dhe gjitha të mirat”, u shpreh kryetari Haziri.
Nga ana e tij, mësuesi dhe ish-i burgosuri politik, Hetem Arifi, ka falënderuar kryetarin Haziri për këtë mirënjohje, duke thënë se kjo është shumë e veçantë dhe e çmueshme për të. Në shenjë respekti, Arifi i dhuroi kryetarit Haziri librin e tij “Mësuesi nëpër kohë”.
Përndryshe, me rastin e 7 Marsit, kryetari Haziri ka ndarë edhe gjashtë mirënjohje Post Mortum për Nuhi Ismajlin, Kadri Rashitin, Feriz Nazifin, Baftjar Elezin, Magribe Kamberin dhe Xhylije Ramizin, për kontributin e dhënë në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të nxënësve të institucioneve edukative dhe arsimore të komunës së Gjilanit./rajonipress/