Fundamenti

Haziri: Mjekët, infermierët, policët, ushtarët e zjarrfikësit, janë heronjtë e gjallë të ditëve të sotme

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Në 21-vjetorin e Çlirimit të Gjilanit, sot kanë defiluar mjekët, infermierët, policët, ushtarët, e zjarrfikësit, të cilët nga kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, janë cilësuar si heronjtë e gjallë të ditëve të sotme, pasi tash e tre muaj kanë qenë në ballë të luftës kundër pandemisë Covid-19.

“12 qershori shënon hyrjen e trupave të NATO-s, ku fillimisht këtu zbarkuan trupat franceze dhe 12 orë më vonë edhe Marina Amerikane, për t’iu bashkangjitur më vonë edhe brigada e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pasditen e 15 qershorit. Ne do të vazhdojmë shënimin për nder të veprimtarisë së çdo qytetari tonë që ka rezistuar, që është kryengritur, që ka punuar dhe është angazhuar për lirinë. Kjo ditë i kushtohen dëshmorëve, heronjëve dhe martirëve, që respekti për ta, nuk do të shuhet kurrë”, ka thënë Haziri.

Ai i ka shprehur falënderim të veçantë çdo mjeku, infermieri, stafit teknik, policëve ushtarëve, deputetëve, këshilltarëve komunal dhe të gjithë atyre që po punojnë dhe po angazhohen për mirëqenien tonë në përgjithësi.

Mobi Casa

“Ky defile i emergjencave civile, institucioneve shëndetësore, Policisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Kosovës, sot është në falënderim për luftën, punën dhe përpjekjet e pashoq që e kanë bërë tash e 95 ditë kundër përhapjes së pandemisë. Këta njerëz 24 orë dhe 7 ditë punojnë pa pushim për ta ruajtur shëndetin publik dhe jetën tonë në përgjithësi”, ka shtuar Haziri.

Haziri ka apeluar qytetarët që të festojnë me kujdes maksimal me përdorim të mjeteve mbrojtëse, respektim të distancës sociale dhe zbatim të rekomandimeve të institucioneve të shtetit./rajonipress/