Eko Higjiena

Haziri: Me realizimin e programeve infrastrukturore në lagjen “Arbëria”, po ua bëjmë jetën e dinjitetshme qytetarëve

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjate vizitës së punimeve infrastrukturore në lagjen “Arbëria”, ka thënë se investimet që po bëhen atje, do t’ua bëjnë jetën e dinjitetshme qytetarëve.

“Për programin e investimit të rrjetit të kanalizimit, Komuna e Gjilanit është në bashkëpunim me Kompaninë Regjionale të Ujit “Hidromorava”, në këtë lagje dhe shumë të tjera dhe kjo po bëhet në bazë të planifikimit afatgjatë për këtë lagje. Njëkohësisht po punojmë që me projektet e kësaj zone, ta integrojmë këtë pjesë dhe të bëhet lagje urbane e qytetit me infrastrukturën që po punohet në rrugën e Kumanovës e cila kalon pranë kësaj lagjeje, pastaj trajtimin e rrugës për Preshevë, rrugën “Mulla Idrizi dhe rrugën në drejtim të muhaxherëve të Uglarit të cilën jemi duke punuar që ta fillojmë në kuadër të dinamikës së planifikuar të investimeve në infrastrukturën rrugore për këtë vit dhe krijimin e lidhjeve për komunikim më të lehtë të qytetarëve”, ka thënë Haziri.

Ai ka konfirmuar se në lagjen “Arbëria” është duke u punuar në projekte të shumta dhe qëllimi kryesor është integrimi i lagjes me infrastrukturë të plotë në zonën urbane të qytetit.

Uji Dea

“Jemi në lagjen “Arbëria” në njërin nga segmentet e programit tonë në rrjetin e kanalizimit dhe gjithashtu edhe në 40 rrugë të ndryshme në këtë lagje janë në ndërtim ose ka përfunduar asfaltimi i tyre brenda këtij viti. Planifikojmë fillimin e ndërtimit të çerdhes së re, si Institucion Parashkollor pre 0-5vjet, për të vazhduar pastaj me ndërtimin e tregut mobil, pastaj do të fillojmë punimet në revidimin e parkut të vjetër, që do të bëhet në formatin që të jetë më i komunikueshëm për banorët”, ka thënë Lutfi Haziri.

Ndërsa në fjalën e tyre deputeti Imet Rrahmani ka thënë se në këtë lagje investimet jo që janë përmbushur në tërësi, por edhe janë tejkaluar dhe po e kthejnë këtë pjesë në një zonë të kompletuar plotësisht.

Ndërsa, drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka potencuar se janë duke realizuar projekte në bazë të programit për këtë vit, që pos investimit në rrjet të ri, do të bëhet edhe investimi në ndërrimin e gypave të vjetër nga asbesti, do të investohet edhe në integrimin e rrjetit nëpër fshatrat dhe lagjet në të cilat nuk ka rrjet ose ai është i vjetruar./rajonipress/