Fundamenti

Haziri: Me raportimin e policisë para qytetarëve, Gjilani vendos standard të ri në Kosovë dhe rajon

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Stacioni Policor në Gjilan, për herë të parë që nga themelimi, ka bërë sot publik raportin e punës për vitin 2015, në sallën e teatrit të qytetit, ku ka marrë pjesë komandanti i stacionit policor në Gjilan, Remzi Azemi, drejtoresha rajonale e policisë, Elmina Mahmuti, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore dhe qytetarë të interesuar.

Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Remzi Azemi, në adresimin para të pranishmëve tha se këtë hap e ka marrë për të qenë sa më transparent për publikun, ndërkaq ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e mirë që e ka pasur në të mirë të sigurisë në Gjilan, sikurse edhe prokurorinë, gjykatën dhe qytetarët.

“Publikimin e raportit të punës po e bëjmë për herë të parë për të qenë sa më transparent ndaj publikut. Viti 2015, punën e stacionit policor në Gjilan e karakterizon me një përkushtim, profesionalizëm dhe sukses të jashtëzakonshëm, pasi 77 për qind e rasteve janë zbuluar ose 13 për qind më shumë se në vitin 2014. Marrë në përgjithësi, mund të them se kemi arritur t’i përmbushin me përpikëri objektivat e përcaktuara”, ka thënë Azemi, duke shtuar se asnjë incident nuk është shënuar me motive ndërfetare dhe ndëretnike.

Drejtoresha Rajonale e Policisë në Gjilan, Elmina Mahmuti, theksoi se ndihet mirë me rezultatet e mira të stacionit policor, duke thënë se raportimi sikur i sotshëm duhet të vazhdoj edhe në të ardhmen.

RCCOLA

“Gjilanin, ky janar i vitit 2016 e bënë unik dhe e veçon edhe për prezantimin për herë të parë para publikut raportin vjetor, sikur që e veçon Gjilanin edhe me manifestimet kulturore. Këto ditë kemi thënë se jemi bërë kryeqytet kulturor i shqiptarëve në Ballkan, por sot duhet ta vendosim në kalendar këtë të premte të shenjtë si ditë kur Policia e Gjilanit ka vendosur një standard në policinë e shtetit dhe atë në rajon mbi raportimin dhe komunikimin drejtpërdrejt me qytetarët”, ka thënë Haziri.

“Ky standard i ri e veçon Gjilanin për shkak të kushteve të sigurisë dhe punës së palodhshme të policisë, të cilët veprojnë, ballafaqohen dhe ndërhyjnë edhe me mjete të fundit në parandalimin dhe ruajtjen e jetës, pronës dhe pasurisë së qytetarëve. Gjilani është qyteti i vetëm, i cili për nuk ka vrasje fatale dhe krimi si i tillë nuk njihet në këtë komunë qe 2 vite. E falënderoj publikisht policinë, prokurorët dhe gjyqtarët për punën e madhe. Nëse ishim matë në parametra të standardeve të BE-së, Gjilani do ta merrte liberalizimin dhe do të ishte afër BE-së para shumë kohësh”, u shpreh Haziri.

Krejt në fund, kryetari Haziri tha se propozimet e eprorëve të policisë për përmirësimin e kushteve në infrastrukturë-komunikacion, do të merren parasysh dhe do të bëjë investime të drejtpërdrejta./rajonipress/