Haziri: Me “Flakën e Janarit” respektojmë vlerat më të mëdha që ka Gjilani

Gjilan – Sot nis manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2016”, i cili mbahet për herë të 25-të në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të historisë shqiptare, të rënë përgjatë rrugëtimit të gjatë për liri e mëvetësi kombëtare ka shkruar Lutfi Haziri.
Haziri ka thënë se me aktivitetet e sotme, përfshirë vizitën në FSK, homazhet te varrezat e dëshmorëve, pritjen për familjet e dëshmorëve dhe ndezjen e Flakadanit, ne respektojmë vlerat më të mëdha që Gjilani i ka dhënë, jo vetëm për Anamoravë, por edhe për Kosovë e për Shqipëri dhe të gjitha ato përpjekje janë sublimuar.
“Vitin e kaluar, pikërisht në Ditën e Flamurit, ne e inauguruam projektin e kompleksit të dëshmorëve, ndërkaq në 28 nëntorin e sivjetmë do ta inaugurojmë edhe fazën e fundit të këtij projekti të rëndësishëm në mënyrë që Kodra e Dëshmorëve vërtetë ta merr pamjen e një kodre ku heronjtë, dëshmorët dhe viktimat e luftërave të regjionit bëjnë roje për lirinë e Kosovës” ka shkruar Haziri./rajonipress/