Haziri: Lëvizje do të ketë, partneriteti do të ruhet

Gjilan – Lutfi Haziri tha për rajonipress se riformatizimi do të ndodhë brenda administratës dhe shërbimit civil, por partneriteti me partitë në koalicion do të ruhet në kuadër të parimeve. Salih Kqiku nuk është më drejtor për buxhet e financa pasiqë ai ka kaluar në zyrën e prokurimit. Pritet të ketë edhe lëvizje të tjera.
Në konferencën e organizuar me gazetarë, kryetari Haziri ka folur edhe për riformatimin e qeverisë komunale, duke thënë s e ky proces shumë shpejt do të ndodhë.
“Sa i përket angazhimeve konkrete në ndryshimet, ne po punojmë që si ekzekutiv t’i paraqesim ndryshimet në statutin e Komunës pran Komisionit që e ka themeluar Kuvendi Komunal, riorganizimi i zyrave te kryetari i Komunës dhe riorganizimi i shërbimit civil tek organi i ekzekutivit. Natyrisht, ajo që ne e kemi quajtur ri formatim është proces i padiskutueshëm dhe i pandalshëm. Do ta diskutojmë me të gjithë partnerët qeverisës. Ne, pavarësisht zhvillimeve në nivel qendror, partneriteti ynë me partitë politike që është vendosur në Gjilan do të ruhet në kuadër të parimeve. Angazhimi im është që edhe zyrat në kuadër të ekzekutivit të bashkohen, në kuptimin funksional të zvogëlohen dhe të bëhen më funksionale. Edhe drejtoritë, po ashtu, ka angazhimet serioze që të zvogëlohen në mënyrë që kostoja e shpenzimeve në administratë të shkoj në logjikën e uljes dhe të mos ndaljes apo të moslejimit që në asnjë mënyrë të kalohet nga rregullat e asaj që ne e kemi quajtur “dietë buxhetore”, tha Haziri.
“Deri tash, ne kemi gjetur 12 zyre që kanë funksionuar në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës. Angazhimi jonë është që së bashku me Zyrën për Kosovën Lindore për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që të jenë nëntë Zyre që do të punojnë, do të jenë me statut të organizuara dhe po ashtu, të lidhura drejtpërdrejt me funksionin e ekzekutivit, me funksionin e drejtorive. Zyra Ligjore, Zyra e Personelit, Zyra për Komunitete dhe Kthim, Zyra për Qytetarë, Zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, do të kenë lidhshmëri ditore të drejtpërdrejt në çdo sektor dhe drejtori në mënyrë që të mos ketë as dualizëm sikur që kemi tash brenda zyreve, brenda autoriteteve të caktuara dhe në mungesë të autoritetit vazhdimisht puna mbetet pa u realizuar, por të mos ketë asnjë lloj tendence në të ardhmen që të ketë konflikt kompetencash në mes të ushtrimit të këtyre detyrave. Deri më 25 të këtij muaji do t’ia paraqesim Komisionit të Kuvendit kërkesën tonë dhe propozimet tona për ndryshim, besojmë që në seancën e parë të shtatorit statuti i Komunës sipas nesh do të jetë i gatshëm që të kalojë në procesin e diskutimit dhe të vendimit në Kuvendin Komunal dhe pas saj do të fillojmë me implementim të provizioneve të caktuara të këtyre neneve, ndryshimeve në statut. Është e rëndësishme për mua që dëshiroj ta paralajmëroj se tash prej javës së ardhshme do të filloj një pjesë e lëvizjeve në zyre të ndodhë sepse ato nuk janë të lidhura me ndryshimet në statut. Sa i përket Zyrës në kuadër të kryetarit të Komunës, do të filloj të ndryshoj në mënyrë që të bashkohen zyret, sektorët, të shkrihen në një autoritet apo një zyre e cila mund të jetë më funksionale dhe në shërbim më të mirë të qytetarëve”, ka shtuar Haziri.
Tashmë lëvizja e parë e Hazirit ka ndodhur pasiqë Salih Kqiku nga drejtoria e buxhetit dhe financave ka kaluar në zyrën e prokurimit.
Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka paralajmëruar edhe mbajtjen e rock koncertit më 28 gusht, si përfundim i aktiviteteve të Komunës për muajin e mërgimtarëve, i cili do të organizohet nga rokerët e vjetër dhe rok bendet e vjetra të qytetit të Gjilanit./rajonipress/