Haziri: Kurti nuk ka problem me emisarët për Asociacionin, por me popullin e Kosovës

Si pret ai se do të shkojë tash dialogu me Serbinë pas tensioneve të dhjetorit dhe a pret shpejt një marrëveshje? Si mund të duket një asociacion me komuna me shumicë serbe dhe çfarë duhet të bëjë Kryeministri Kurti të mos krijohet një pushtet i tretë nga Asociacioni. Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, jep disa shpjegime për Gazetën Express.

Dikur pjesë e Ekipit të Unitetit, në bisedimet e Vjenës, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tash është i specializuari i partisë së tij për temën e dialogut me Serbinë.

Pas tensioneve të dhjetorit në veri dhe pas paralajmërimeve se sytë e Perëndimit do të kthehen kah Ballkani edhe njëherë në përpjekje për t’i pajtuar Kosovën dhe Serbinë, Lutfi Haziri i ka dhënë pikëpamjet e tij rreth asaj që mund të ndodhë këtë vit në raport me Serbinë.

Vjeshta e vitit që shkoi, thotë Haziri, nuk ishte momentum në favor të dialogut Kosovë-Serbi. Prej janarit, ai pret t’i shtrohet rruga e negociatave, që do të çonin në një marrëveshje, me bazë propozimin franko-gjerman, që u është dhënë palëve në shtator.

“Sa i përket pritjeve rreth dialogut, besoj që vjeshta e vonshme e vitit të kaluar ishte një rrethanë e re për Kosovën”. “Tani pritjet janë që të krijohet një rrethanë e re, të ketë një dinamizim në procesin e dialogut nga janari e tutje, për të krijuar një momentum të ri për një marrëveshje kornizë, baza e së cilës është shpërndarë në vjeshtën e vitit të kaluar, por që ky dokument bazë duhet të kalojë në proces negocimi e që disa nga provizionet e saj nuk janë të lehta të përmbyllen” ka thënë Haziri.

Tensionet në veriun e Kosovës u shuan pak para vitit të ri. Dhe, thuhet se kjo u bë me ndërmjetësimin e serishëm të SHBA-së në prapaskenë, ndonëse nuk është konfirmuar publikisht.

Pas heqjes së barrikadave dhe shtensionimit të situatës, pritet që negociatat mes Kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të vazhdojnë në tavolinat ndërkombëtare. Aty Kurtit, me aq sa kanë deklaruar ndërmjetësit, pritet t’i shfaqet tema e refuzuar e tij, Asociacioni.

Zyrtarët amerikanë e paraqesin punë të kryer Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Tani, siç deklarojnë diplomatët e angazhuar të SHBA-së, nuk është në pyetje se a bëhet a jo Asociacioni, por vetëm si do të bëhet. Kryeministri Albin Kurti vazhdon të mohojë se do të formojë një Asociacion etnik me komunat e Kosovës, që e kanë shumicën e banorëve serbë.

Haziri i LDK-së thotë se, nga ajo që është thënë nga përfaqësuesit amerikanë, nuk cenohet shteti i Kosovës.

“Tani, baza e dokumentit sipas përfaqësuesve amerikanë, që thirret me aneksin III të dokumentit të presidentit Ahtisaari, e që lidhet me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është dokument që nuk e cenon karakterin unitar të shtetit të Kosovës, por si detyrë z.Kurti i është shpërfaqur Kurti opozitar”, ka thënë Haziri.

Haziri thotë se Kurti nuk e ka problemin me ndërkombëtarët, por me deklaratat e mëhershme të tij si opozitar për Asociacionin, që ai donte t’i referohej vetëm në serbisht “Zajdenicë”.

“Tani ai nuk e ka problemin as me ndërmjetësin ndërkombëtar, as me emisarin Escobar, as me emisarët tjerë që shumë shtete kanë emëruar, por e ka me popullin e Kosovës sepse ka shkaktuar pritje tjetër në raport me “Zajednicën” siç e quan ai, dhe në këtë pikë Kurti kryeministër duhet ta kalojë Kurtin opozitar”.

Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe flitet shumë, por pak dihet si do të mund të dukej një i tillë, përmbajtësisht. Haziri, që dikur ka qenë edhe ministër i Pushtetit Lokal ka folur për funksionimin praktik të një asociacioni – nëse marrëveshja për të zbatohet.

Përveç bashkësisë së komunave, ai thotë se ka çështje të tjera, të cilat do të mund të çonin në krijimin e një pushteti të tretë.

“Nuk është vetëm asociacioni që duhet parë në hartë apo në zbatim, por nëse kjo kombinohet me çështjet që janë për t’u negociuar e ato janë çështja e pronës shoqërore, çështja e pronave publike, çështja e pronave të kishave, çështja e kufijve komunalë dhe çështjet tjera që lidhen kryesisht me territor, atëherë z.Kurti është para një kërcënimi që të krijojë pushtetin e tretë në Kosovë që është kundër-kushtetuese”, ka thënë Haziri.

“Z. Kurti mund të krijojë me apo pa dashjen e tij korridore etnike, që prej veriut të Kosovës kalon në Kosovën qendrore në drejtim të juglindjes dhe perëndimit të Kosovës. Praktikisht, këto janë rreziqet që i bartë ky proces”.

Për t’i evituar këto rreziqe, Haziri flet për një rishikim që, sipas tij, do të duhej ta bënte Qeveria, para se të formonte një asociacion me komuna.

“Qeveria duhet ta ketë parasysh edhe një detyrë nga Aneksi III që nuk është zbatuar e që është rishikimi funksional i pushtetit lokal. Ndoshta një rishikim i shpejtë i funksionimit të pushtetit lokal në kapacitetet që ka e në detyrat që ushtron, në rregullimin asimetrik që tani e ka në raport me tri komuna me shumicë serbe në veri dhe juglindje, me Prishtinën si kryeqytet dhe me qendrat e mëdha si Gjilani, Prizreni, Peja e komunat e niveleve të tilla, do të krijonte një mundësi shumë më të mirë për ta parë më drejtë se si dhe në çfarë forme mund të organizohet më mirë një asociacion i cili është nënshkruar në vitin 2013 nga kryeministri Thaçi në atë kohë e më vonë në aneks dokumentin edhe nga kryeministri Mustafa, e që ka arritur këtë proces ta konfirmojë në Gjykatë Kushtetuese” thotë ai.

Por, Haziri, tash opozitar, nuk ka besim se Qeveria aktuale ka aftësi “për të parë gjendjen faktike” dhe për të jetësuar një funksionim praktik të Asocioancionit, nëse Kurti pranon zbatimin e marrëveshjes.

Kjo qeveri nuk ka as kapacitet , as dije e as vullnet për ta parë realisht gjendjen faktike që e ka në raport me ndërmjetësin ndërkombëtar dhe me partnerët dhe funksionimin praktik se si mund t’i ndodh në rast të nënshkrimit të një marrëveshje të tillë nga z.Kurti kryeministër”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS