UBT

Haziri: Kurti e ka futur Kosovën në depresion të thellë politik dhe ekonomik

/ 3 minuta lexim

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, e ka futur vendin “në depresion të thellë politik”, kur u pyet nga Albanian Post rreth deklaratës së Kurtit, i cili dy ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, u shpreh i bindur se shumë qeveri në vende të ndryshme si shohin “as në ëndërr” rezultatet e ekzekutivit të tij.“E kundërta e asaj që ka thënë, sepse të gjithë kryeministrat e rajonit nuk i kanë pasur asnjëherë raportet më të këqija me kryeministrin e Kosovës.

Ky kryeministër e ka futur në një depresion të thellë politik dhe ekonomik Kosovën”, tha Haziri.

Sipas Hazirit, për Kurtin që është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ende 14 shkurti i vitit 2022 nuk ka kaluar edhe pse kanë kaluar 3 vite, teksa shton se kjo qeveri nuk arriti fare ta kapitalozojë sulmin terrorist të 24 shtatorit në arenën ndërkombëtare.

“Duhet të bëjë veprime konkrete, pasi e kanë humbur momentumin e Banjës, pasi atë kreditë që Kosova e fitoi, politika nuk arriti ta kapitalizojë”, potencoi ai.

Ish-kryetari i Gjilanit ka folur edhe për kritikat e LV-së ndaj LDK-së, pasi kjo e fundit ka paralajmëruar se Projektligj për Fondin Sovran i cili është në konsultim publik mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Uji Dea

“Ne e kemi paralajmëruar, i kemi thënë që është në kundërshtim me parimet e tregut të lirë dhe të demokracisë. Kjo qeveri po duan ta fillojnë logjikën e nacionalizmit. Është një pasiguri juridike”, potencoi Haziri.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kishte reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se nëse vendet tjera do të kishin rezultatet e Kurtit do të përfundonin në ankth kolektiv.

“Përfundim: uroj që, të vërtetën e hidhur populiste e me rezultate në fund të pusit, asnjë vend mik i Kosovës mos ta shoh kurrë në ëndërr, sepse ankthi u bëhet i pashmangshëm”, pati shkruar Gashi në më 18 dhjetor.

Ndryshe, dy ditë më parë, Kurti tha se Qeveria që drejton po bën shumë punë, por u ankua se rezultatet nuk po prezantohen nga mediat.

Ai u shpreh i bindur se shumë qeveri, në vende të ndryshe nuk i shohin “as në ëndërr” rezultatet e Qeverisë së tij, duke iu referuar rritjes së të buxhetit për 35% e të hyrave për 15%, prej marrjes së mandatit.