Haziri: Kqiku, Mala e Gagica kanë luajtur rol të veçantë në periudha të vështira kohore për vendin

Gjilan – Për nder të 19-vjetorit të çlirimit, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të martën një seancë solemne, me ç`rast kryetari Lutfi Haziri ua ka dorëzuar çmimin “Qytetar Nderi” tre personaliteteve të rëndësishme të kësaj ane, Hasan Mala, Hafiz Gagica e Afrim Kqiku, të cilët janë nderuar me këtë çmim më 17 shkurt, në dekadën e parë të pavarësisë së Kosovës, për të cilën ka kontribuar secili prej tyre në mënyrën e vet.

Kryetari Haziri ka thënë se këtë vit Gjilani ka nderuar tre njerëz të veçantë, të cilët kanë luajtur rol të veçantë dhe kanë pasur përgjegjësi të veçanta në periudha të ndryshme e të vështira kohore për vendin tonë dhe qytetin tonë, në Republikën e Kosovës dhe jashtë saj, kudo që kanë jetuar.

Kuvendi ka miratuar nismën time për t`i shpallë “Qytetarë Nderi” këto tri personalitete, duke dashur t`iu bëjë një minimum nderi, në shenjë respekti për punën e madhe dhe kolosale që kanë bërë djemtë si Hasan Mala, Hqafiz Gagica e Afrim Kqiku, ka thënë Haziri.

Duke i nënvizuar kontributet e secilit prej tyre veç e veç, kryetari Haziri ka thënë se Hasan Mala, duke qenë njëri prej familjeve të mëdha në komunën e Gjilanit dhe kryengritëse të hershme, u desh të largohet herët nga shtëpia, për t`iu bashkëngjitur emigracionit në Zvicër, ku mori dhe udhëhoqi me sukses lëvizjen popullore për Republikën e Kosovës në emigracion.

Edhe Hafiz Gagica u gjend në të njëjtën rrugë, pasi u detyrua të largohet nga shkolla e mesme dhe t`iu bashkohet shokëve të ilegalitetit në Gjermani, ku bashkëveproi me grupet në Shtutgard. Në fund të viteve të 80-ta, Hafizi e merr rolin e organizimit të LDK-së në Gjermani. Është njeriu kryesor i marrëveshjes me Ramiz Alinë, për ngritjen e kampeve të para ushtarake, organizim ky që në fund rezultoi me angazhim ushtarak për çlirimin e Kosovës.

Afrim Kqiku, kronisti i Gjilanit, është njeriu që prej fund viteve të 80-ta e deri më sot, ka regjistruar çdo aktivitet, qoftë politik, humanitar, apo ushtarak, për t`u bërë një memorie e gjallë e gjithë kësaj periudhe, pa asnjë kërkesë dhe pa asnjë kusht. Afrimi është njeriu i cili gjurmët e historisë i ka faktuar me fotografi dhe me dëshmi të tjera.

“Të gjitha këta njerëz, nga vetja e tyre kanë humbur shumë, por për ne kanë dhënë vlera jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë kryetari Haziri.

Më pastaj u zhvillua ceremonia e dorëzim-pranimit të çmimit “Qytetar Nderi” për Hasan Malën, që e morën fëmijët e tij, Rreze e Mumin Mala, Hafiz Gagicën e Afrim Kqikun, të cilët thanë se ky është një nder i madh që iu bëhet atyre, për kontributet që i kanë dhënë në të kaluarën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se këto propozime ishin votuar në mënyrë unanime nga asamblistët gjilanas, më 17 shkurt të këtij viti, në një seancë solemne.

Përndryshe, Kurteshi-Emini ka thënë se muaji qershor ka rëndësi të veçantë për Gjilanin dhe qytetarët e tij, sepse 19 vite më parë, me gjithë ngrohtësinë e vetë, solli lirinë, shpresën dhe besimin për të ardhmen në këtë vend, e cila nuk do të cenohet më nga kthetrat përreth, ashtu siç ndodhi deri në qershorin e 1999-tës./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).