Haziri: Komuna e Gjilanit do të mbështes me të gjitha kapacitetet Qendrën “Pema”
Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu, kanë pritur sot fëmijët me sindromën Down nga Qendra për Qëndrim Ditor të Fëmijëve “Pema”, të cilët të shoqëruar edhe nga edukatorët e tyre kanë prezantuar njohuritë e tyre të marra në aktivitetet e ndryshme brenda kësaj qendre, por edhe interesim për atë se çfarë flitej në këtë takim.
Me këtë rast kryetari Haziri, i ka siguruar se Komuna e Gjilanit do të jetë mbështetëse e fuqishme për këtë qendër, e cila ka një rol të veçantë për specifikën e asaj që trajton fëmijë me nevoja të veçanta dhe kërkon një përkushtim shumë të madh të stafit.
“Puna në këtë qendër është e një rëndësie të veçantë, sepse merret me fëmijët të cilët janë të prekur nga sindroma Down, e të cilët kanë një dashuri shumë të madhe, të cilën secili do ta vërente nga buzëqeshja e tyre e ngrohtë dhe të gjitha veprimet e tjera që ata bëjnë. Ne si institucione lokale do të japim mbështetje për këtë vit kalendarik pas përfundimit të projektit që ju keni me donatorët tuaj, ndërsa për vitin e ardhshëm, do ta planifikojmë në buxhetin e vitit 2016 në mënyrë të saktë edhe për nevojat që ka kjo qendër, në mënyrë që kështu më pas të vazhdohet edhe gjatë të ardhmes”, tha kryetari Haziri, duke shtuar se qëllim yni, por edhe i familjeve të tyre është mirëqenia dhe integrimi i këtyre fëmijëve në jetën shoqërore.
Ndërsa nga ana e saj koordinatorja e Qendrës për Qëndrimin Ditor të Fëmijëve “Pema”, Festa Demiri, ka informuar kryetarin Haziri me të gjitha aktivitetet që bëhen në këtë qendër, me numrin e fëmijëve të cilët trajtohen brenda ditës, mënyrën e funksionimit dhe nevojat që kanë gjatë të ardhmes./rajonipress/


