Haziri: Komuna dhe Policia e Kosovës po bëjnë që të kemi gjendje jashtëzakonisht të mirë të sigurisë

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ku janë zotuar për vazhdim të bashkëpunimit në krijim të sigurisë dhe kushteve më të mira për qytetarët e Gjilanit dhe më gjerë të këtij regjioni.

Në fjalën e tij, kryetari Haziri ka falënderuar drejtorin Qalaj për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe bashkëpunimin në të gjitha projektet e përbashkëta, duke bërë që gjendja e sigurisë në Komunën e Gjilanit në të gjithë parametrat të jetë jashtëzakonisht e mirë.

“Para disa ditësh Komuna e Gjilanit ka përfunduar projektin e përbashkët për Stacionin e Gjilanit, që është Qendra e Monitorimit dhe po punojmë për integrimin e shkollave dhe institucioneve të tjera publike në këtë rrjet, në mënyrë që të rritet edhe më shumë siguria. Falë përgjegjësisë së lartë dhe angazhimit maksimal të policisë së shtetit, gjendja e sigurisë në Komunën e Gjilanit është jashtëzakonisht e mirë në të gjithë parametrat, jo vetëm në aspektin e sigurisë publike, por edhe rënia e vjedhjeve, aksidentet në trafik dhe problem të tjera që janë në qytetet urbane”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërsa në fjalën e tij, drejtori Rashit Qalaj, ka thënë se vizita në Gjilan është në kuadër të bashkëpunimit për ngritjen e sigurisë publike dhe njëkohësisht për të konfirmuar partneritetin për mbrojtjen e qytetarëve dhe krijimin e kushteve më të mira për ta.

“Falënderova kryetarin e Komunës së Gjilanit për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Policisë së Kosovës në dy nivelet e saja në Gjilan. Komuna ka bërë investime infrastrukturore në objektin e stacionit të policisë që ka krijuar kushte dhe mundësi shumë të mira për punë efektive. Bashkërisht do të punojmë shumë që të ofrojmë shërbimet tona për qytetarë, ne në aspektin e sigurisë dhe detyrave që kemi, por edhe komuna nga ana e saj me projekte dhe shërbime sipas përgjegjësisë që e mbulon”, ka thënë Qalaj në fjalën e tij./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).