Haziri: Këtyre ditëve do të nxjerr vendimin për rregullimin e memorialit në Zhegoc

Gjilan – Në shenjë nderimi për dëshmorët e rënë për liri të Kosovës, në 15 vjetorin jubilar të Betejës së Zhegocit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Kadriu e drejtorët komunal, ka bërë sot homazhe të Varrezat ë Dëshmorëve.
Në fjalën e rastit, kryetari Haziri tha se kjo Betejë ka qenë një ndër betejat më të lavdishme të luftës sonë për çlirimin vendit dhe këta dëshmorë dhanë më të shtrenjtën për këtë ditë të bardhë që po e gëzojmë.
“Sot e përkujtojmë Pajën e Albanin, përkujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë në luftën për liri, përkujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për këtë ditë që ne sot e gëzojmë. Mbetet shumë për tu realizuar, sepse amaneti i tyre pos lirisë së vendit ka qenë liria për të gjithë shqiptarët. Ne duhet të punojmë shumë që amanetin e tyre karshi zhvillimit të vendit të mos e harrojmë në asnjë moment. Ne i përkujtojmë dhe do të përulemi përherë para atyre dhe familjeve të tyre, me besimin që shteti do të shtrij kujdesin për gjithçka që sot kanë nevojë”, ka potencuar kryetari Haziri.
Ai më tej ka thënë se projekti për rregullimin e varrezave të dëshmorëve është projekti i parë që do të realizohet, po ashtu do të rregullohen edhe varrezat e martirëve në Llashticë dhe këtyre ditëve do të nxjerr vendimin për rregullimin e memorialit në Zhegoc.
Ndryshe, tubimi qendror në kuadër të Manifestimit të 15-të Jubilar të Betejës së Zhegocit do të mbahet në ora 13:00, në fshatin Zhegoc.
Në betejën e Zhegocit u vranë tetë ushtarëve të UÇK-së: Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu, Njazi Osmani dhe 18 civilë. Ndërsa në fshatin Sllovi u vranë 49 civilë./rajonipress/