UBT

Haziri kërkon mbështetje nga ministrja Çitaku

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit ka kërkuar nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, të premten gjatë një vizite në këtë komunë, që ta shtyjë përpara agjendën e zyrtarizmit të plotë të mikro-regjionit evropian Gjilan – Preshevë – Kumanovë. Haziri tha se në këtë takim me ministren Çitaku, me të cilën ka pasur rastin të punojë bashkë në procesin e integrimeve evropiane, derisa ka qenë kryetar i Komisionit Parlamentar, kemi prekur çështje që janë të rëndësishme për komunën e Gjilanit, si riatdhesimi, grantet dhe procesin integrues.

Riatdhesimi si njëra prej detyrave kryesore në komunën tonë trajtohet në baza ditore, duke përfshirë të gjitha familjet dhe individët e kthyer në Gjilan. “Gjilani ka mbërri rezultate në këtë proces dhe ka vlerësim pozitiv nga raporti i fundit i ministres Vlora Çitaku dhe i Komisionit Evropian, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, ka thënë Haziri.

Çështja e dytë ka të bëjë me grantet që i jep Komisioni Evropian dhe Ministria e Integrimeve e që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për përmirësimin e jetës dhe infrastrukturës në Gjilan, ka thënë ai. “Ne kemi konkurruar dhe do të konkurrojmë edhe në programe tjera”, ka thënë Haziri, duke shtuar se më 24 prill mbahet konferenca e donatorëve për lindje në Gjilan, si qendra më e madhe në këtë sektor.

Dhe çështja e tretë, është procesi integrues dhe roli ynë si komunë. “Gjilani është mikro-regjion evropian dhe unë do ta lus ministren Çitaku që ta shtyjë përpara zyrtarizmin e plotë të agjendës së mirko-regjionit evropian Gjilan-Preshevë-Kumanovë, në kuadër të regjionit më të madh në Ballkan Shkup-Nish-Sofje, që do të kishte efekt në liberalizimin e qarkullimit të plotë të njerëzve dhe mallrave”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ndërkaq, ministrja Vlora Çitaku pasi e komplimetoi Hazirin për kontributin që ka dhënë deri tani në procesin e integrimeve evropiane, përfshirë edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, tha se komuna e Gjilanit ka marrë vlerësim pozitiv sa i përket përmbushjes së detyrimeve në procesin e riatdhesimit dhe ka nënvizuar faktin e vitin e kaluar në këtë komunë janë kthyer 546 persona.

RCCOLA

Çitaku tha se sigurisht që do të ketë riatdhesime edhe të personave tjerë në të ardhmen. Ajo tha se duhet pasur parasysh se me heqjen e regjimit të vizave, kërkesat e KE, sidomos për menaxhimin e integruar të kufirit dhe ofrimin e shërbimeve për personat e riatdhesuar vetëm sa do të rriten. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që ne t`i mirëmbajmë standardet që i kemi arritur, ka thëne ajo.
“Jam e inkurajuar nga zotimet e kryetarit dhe ekipit të tij për përmbushjen e detyrimeve në këtë fushë”, ka thënë Çitaku.

Po ashtu biseduam edhe për mundësitë që ka komuna e Gjilanit për të aplikuar në fondet e Komisionit Evropian dhe Ministrisë së Integrimeve Evropiane, ku komuna e Gjilanit mund të aplikojë dhe mund të fitojë, qoftë projekte të infrastrukturës, qoftë projekte të natyrave tjera, por që do të jenë në dobi të komunitetit dhe qytetarëve të kësaj komune.

Ajo nënvizoi se roli i komunave është shumë i rëndësishëm dhe në procesin e integrimeve evropiane, ndërkohë që premtoi mbështetje për programin e kryetarit Haziri dhe kryetarëve tjerë në sektorin e lindjes për konferencën e donatorëve. “Më 24 prill do të jem përkrah jush në Gjilan që t`ju mbështes në iniciativat e juaja”, ka thënë ministrja Çitaku.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në një pyetje rreth meritave në procesin e liberalizimit të vizave, të cilat mund t`i mbesin një qeverie tjetër dhe jo kësaj të tashmes, ajo ka thënë se kjo nuk ka aspak e rëndësi, sepse vizat nuk hiqen për qeverinë, por hiqen për qytetarët e Kosovës, duke thënë se agjenda evropiane, është projekt konsensual në Kosovë. /rajonipress/