Haziri ka pritur nipin e mësuesit të parë të kësaj ane Andi Bejlerin

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim miqësor Andi Bejlerin, nipin e mësuesit Mehmet Turhani, i cili ishte pjesë e grupit të mësimdhënësve të ardhur nga Shqipëria për të përhapur arsimin shqip në Kosovë, e që kontributin profesional të tij ai e dha gjatë vitit 1942 – ’43 në fshatin Desivojcë, ndërsa gjatë viteve ’43 – ’44 ka kontribuar në Gjilan.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka falënderuar atë për vizitën që sot i ka bërë Gjilanit nipi i njërit ka mësimdhënësit e shteti shqiptar që bënë që sot në Gjilan dhe Kosovë të kemi arsimin shqip, e kjo është nisur pikërisht nga qytete të ndryshme shqiptare, duke mos kursyer asgjë në përhapjen dhe zhvillimin e arsimit shqip në Kosovë.
Ndërsa nga ana e tij Andi Bejleri, ka thënë se pritja e bërë nga ana e kryetarit Haziri në nderë dhe respekt për kontributin e gjyshit tim që ai dha në vitet e ’40-ta, është një krenari për neve trashëguesit e tij.
“Sot më priti në një takim miqësor i pari i Komunës së Gjilanit, në saje të kontributit të madh që ka dhënë për këtë regjion gjyshi im si mësues, i cili kishte përfunduar normalen e Elbasanit, dhe ai në moshën 19 vjeçare, nisi angazhimin e tij pikërisht në Kosovë respektivisht në Gjilan”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Andi i cili ishte edhe këshilltar i kryeministrit Berisha, pas shëtitjes nëpër qytet, ka shtuar se Gjilani dhe Elbasani kanë ngjashmëri të mëdha.
“Përhimtëria dhe trëndafilat janë simbol i të dy këtyre qyteteve. Qyteti ishte me gjallëri të plotë. Si kërkues që tani jam në Universitetin Teknik në Darmstadt të Gjermanisë, kjo vizitë e sotmja dhe kjo pritje më japin vullnet shumë të madh kur me kaq dashuri ruhet dhe kujtohet kontributi i mësuesve të parë të grupit nga Shqipëria” përfundoi ai./rajonipress/