Haziri: Jemi gati për ndarjen e bursave për studentët
Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, të cilëve ua ka shprehur zotimin për mbështetjen në kërkesat e tyre.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Mehmet Zylfiu, ia ka prezantuar kryetarit Haziri disa kërkesa të studentëve, kryesisht për mbështetjen përmes bursave dhe realizimit të punës praktike në institucionet komunale.
Haziri ka shfaqur zotimin e tij për ndarjen e bursave për studentët, veçanërisht për femrat të cilat e kanë në rrezik shkollimin për shkaqe financiare.
Haziri tha se Komuna në bashkëpunim me klubin e rotarianëve “Gjilani” kanë në dispozicion një fond pre 28 mijë eurosh, të cilat janë grumbulluar nga një mbrëmje humanitare, ndërkaq kësaj i shtohet edhe fondi i Komunës i paraparë për bursa.
Takimi me kryetarin Haziri është vlerësuar tejet produktiv nga ana e Parlamentit Studentor, të cilët e falënderuan për mbështetjen ndaj tyre, duke ua bërë më të lehtë studimet./rajonipress/


