Haziri i jep lajm të mirë familjes së Zijadin Marovcës, do të bëhen me shtëpi të re

Gjilan – Në ditëlindjen e 45-të të tij, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka vizituar sot familjen e Zijadin Marovcës, e cila vuan nga mungesa e banimit, duke iu konfirmuar se nesër do të nisë ndërtimi i shtëpisë së tyre, që është donacion nga një bashkatdhetar që jeton në Europë.
Kreu i Komunës së Gjilanit, i cili shoqërohej nga kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se me fillimin e ndërtimit të shtëpisë së Zijadin Marovcës, nisë edhe zyrtarisht implementimi i projektit të Komunës së Gjilanit për të zgjidhur problemet qytetarëve që vuajnë nga problemet e banimit.
Numri i shtëpive që janë premtuar nga qytetarët e vullnetit të mirë në mbrëmjen humanitare të organizuar nga Komuna e Gjilanit me moton “Pak nga ne, shumë për ata”, ka qenë nëntë, ndërsa sot është siguruar edhe donacioni për ndërtimin e shtëpisë e dhjetë, e cila do të nis të ndërtohet në ditën e nesërme.
“Që nga marrja e detyrës së kryetarit të Komunës, kam vënë prioritetet për zgjidhjen urgjente të problemeve të banimit në Gjilan. Tashmë, po e implementojmë këtë projekt të madh të Komunës dhe kjo tregon për shpirtin e madh të LDK-së që t’i dalim në ndihmë nevojtarëve. Më gëzon shumë fakti që në ditëlindjen time, sot është gëzuar edhe familja Marovca, e cila shumë shpejt do të bëhet me shtëpi të re. Me këtë logjikë të qeverisjes do të vazhdojmë dhe brenda mandatit katër vjeçar do t’i zgjidhim të gjitha problemet e banimit në Komunën e Gjilanit”, ka thënë, gjatë vizitës në familjen Marovca, kryetari Lutfi Haziri.
Nga ana e tij, Zijadin Marovca, i gëzuar tejmase, ka falënderuar kryetarin Haziri për humanitetin e tij që po e tregon në mënyrë të vazhdueshme me familjet në nevojë.
“Qysh pe shifni edhe vetë, na kena jetue n’kushte shumë t’randa deri tash…Faliminer shumë prej kryetarit që e ka ndërmarrë këtë aksion me na i maru shpijat. S’kam fjalë qysh me e përshkrue gëzimin tem edhe të familjes”, ka thënë i emocionuar Marovca./rajonipress/